Lidhje

Kosova shënon përvjetorin e pavarësisë


Kosova po shënon 11 vjetorin e shpalljes së pavarësisë, në një periudhë trysnie për një marrëveshje përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe ftohjes së marrëdhënieve të saj me aleatët perëndimor.

Udhëheqës të institucioneve ngritën flamurin shtetëror, vunë kurora tek shtatoret e ish udhëheqësve politik e ushtarak të vendit dhe nderuan të rënët e të zhdukurit gjatë luftës së fundit. Forca e Sigurisë së Kosovës parakaloi në qendrën e Prishtinës të stolisur me flamujt e Kosovës dhe aleatëve të saj, për herë të parë me mandat të ndryshuar, tashmë si ushtri.

Përvjetori po përshkohet me thirrjet për të hequr tarifat e vendosura nga qeveria ndaj mallrave serbe, që t’i hapet rrugë procesit të bisedimeve për një marrëveshje përfundimtare me Serbinë.

Kryetari i parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli, shfrytëzoi seancën solemne për nderë të përvjetorit për të çuar mesazhin për pezullimin e tarifave dhe ruajtjen e marrëdhënieve me aleatët. Ai tha se Serbia i ka merituar tarifat ndërsa bëri thirrje për vendimmarrje shtetërore dhe jo individuale përballë situatës së krijuar.

Në vendimmarrje shtetërore asgjë nuk duhet të ketë personale pra edhe ky vendim si çdo vendim tjetër për Kosovën, duhet të jetë shtetëror dhe institucional. Duhet t’i vëmë në peshore interesat strategjike të shtetit tonë përballë Serbisë, duke marr parasysh edhe për faktorët kryesor të botës që na rrethon; Rusisë me aleatët e vet në njërën anë dhe Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian në anën tjetër. Me SHBA-në dhe BE-në në krah, Kosova është më mirë dhe më e sigurt. Interesat gjeostrategjike dhe gjeopolitike perëndimore dhe amerikane në Ballkan përputhen plotësisht me interesat e Kosovës dhe kombit tonë".

Ai tha se parlamenti dhe qeveria duhet të qëndrojnë prapa zotimeve të përbashkëta dhe interesave të miqve të Kosovës.

Sa i përket kësaj situate të ndjeshme dhe ndërlidhjes së saj me mandatin e qeverisë, duhet t’i sigurojë qytetarët se si udhëheqës i koalicionit qeverisës nuk do të lejoj në asnjë moment që marrëdhëniet tona me Serbinë ta përcaktojë qëndrueshmërinë dhe fatin e institucioneve tona pra as të qeverisë së Kosovës. Qeveria e Kosovës nuk do të bjerë për shkak të taksës dhe as Serbisë, ky është qëndrim i vendosur. Qeveria dhe parlamenti mund të bien vetëm për shkak të interesave të qytetarëve të Kosovës”, tha zoti Veseli.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se vendi është i gatshëm për një marrëveshje me Serbinë, por që nuk do të prek kufijtë.

Jemi të interesuar për një marrëveshje, tani më të ditur dhe të quajtur obligative ligjore për njohje reciproke me Serbinë në kufijtë ekzistues dhe njëkohësisht jemi të interesuar për avancimin e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO dhe Bashkim Evropian”, tha kryeministri Haradinaj.

Kosova shpalli pavarësinë e saj më 17 shkurt të vitit 2008, nëntë vjet pasi ndërhyrja e NATO-s i dha fund luftës gati dyvjeçare që la pas vetes mbi dhjetë mijë të vrarë dhe mijëra të zhdukur.

Pavarësia e Kosovës është njohur nga më shumë se 100 vende të botës, ndërsa vazhdon të kundërshtohet nga Serbia e cila është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Por, ky proces mbetet i pezulluar për shkak të refuzimit të Serbisë për të vazhduar bisedimet pa heqjen e tarifave nga qeveria e Kosovës të vendosura pothuajse tre muaj më parë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se këtë vit duhet të merret një vendim tjetër strategjik për të ardhmen e vendit.

Duhet të arrijmë marrëveshje paqësore, gjithëpërfshirëse, të përhershme me Serbinë, që siguron njohje reciproke dhe anëtarësim të Kosovës në OKB, NATO dhe BE. Jo për të harruar të kaluarën, por për të mos lejuar që të përsëriten vuajtjet dhe tragjeditë e kaluara. Për këtë vendim na kërkohet përsëri mençuri, urti dhe unitet”, tha ai.

Shtetet e Bashkuara kanë ritheksuar edhe në urimet me rastin e përvjetorit të pavarësisë së Kosovës se një marrëveshje me Serbinë duhet ta ketë në thelb, njohjen e ndërsjellë.

Presidenti Thaçi, i cili priti edhe një delegacion të ligjvënësve amerikanë të cilët takuan edhe kryeministrin Haradinaj, tha se aleatët janë të pazëvendësueshëm në rrugëtimin e Kosovës.

“Ky është partneriteti ynë me bashkësinë ndërkombëtare, në radhë të parë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe me Bashkimin Evropian, me shtetet e Evropës, me NATO-n".

Udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë thonë se një marrëveshje normalizimi ndërmjet palëve është e mundur, por shumë e vështirë për shkak të pikëpamjeve krejt të kundërta rreth saj, ndërsa të dy presidentët Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiç kanë çuar përpara idetë e tyre për një korrigjim të kufirit si zgjidhje ndërmjet dy vendeve.

Kjo ide po kundërshtohet nga shumica e udhëheqësve politik në Kosovë ndërsa faktorët ndërkombëtarë janë vënë në lëvizje që të arrihet një marrëveshje sa më shpejt ndërmjet Kosovës e Serbisë, që është kusht për integrimin e të dyja palëve në Bashkimin Evropian.

Por edhe përvjetori i 11-të i pavarësisë e gjen Kosovën të fundit në rajon në proceset integruese dhe qytetarët e saj janë të vetmit në Evropën Juglindore që nuk mund të udhëtojnë pa viza në vendet e zonës Shëngen.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG