Në Kosovë autoritetet thanë se emri i kryeministrit Ramush Haradinaj është hequr nga një urdhër arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia, në bazë të të cilit ai të paktën dy herë ishte ndaluar gjatë udhëtimeve të tij.
Në fillim të këtij viti, ai ishte ndaluar në Francë të bazë të një urdhër arresti të tillë dhe kishte qëndruar për gati katër muaj në pritje të një procesi gjyqësor gjatë të cilit u refuzua kërkesa e Beogradit për ekstradimin e tij.
Ministri i Drejtësisë në qeverinë e Kosovës, Abelard Tahiri tha se policia ndërkombëtare, Interpol, ka larguar nga listat e të kërkuarve emrat e 18 qytetarëve të Kosovës, në mesin e të cilëve edhe atë të kryeministrit Haradinaj.
Beogradi e akuzon kryeministrin Haradinaj, një nga komandantët e ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për krime gjatë luftës së viteve 1998 -1999.
Zoti Haradinaj dy herë është shpallur i pafajshëm për të gjitha akuzat për krime lufte në Gjykatën ndërkombëtare në Hagë.
Ai dha dorëheqje nga posti i kryeministrit të vendit më 8 mars të vitit 2005 për t'u dorëzuar vullnetarisht në gjykatën e Hagës, prokuroria e së cilës e akuzonte atë dhe dy bashkëluftëtarë të tij për krime lufte.
Procesi kundër zotit Haradinaj filloi më 5 mars të vitit 2007 dhe përfundoi në prill të vitit 2008 me pafajësinë e tij. Zoti Haradinaj u rikthye ne rigjykim të pjesshëm në korrik të vitit 2010, që ishte rasti i parë i atij lloji në veprimtarinë e Gjykatës Ndërkombëtare për Krime lufte në hapësirat e ish Jugosllavisë.
Më 29 nëntor të vitit 2012 ai sërish u shpall i pafajshëm.
Facebook Forum