Lidhje

Kosova përkujton senatorin John McCain


Në Kosovë, udhëheqësit e institucioneve ngushëlluan popullin amerikan dhe vlerësuan lartë personalitetin e senatorit John McCain, i cili vdiq të shtunën në moshën 81 vjeçare, pas një beteje të gjatë me kancerin në tru.

Në Kosovë pritet me pikëllim vdekja e Senatorit McCain
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:04 0:00

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, shkroi në rrjetin twitter se populli i Kosovës u bashkohet familjes, miqve dhe gjithë popullit amerikan në përkujtimin e senatorit John McCain, duke kujtuar vizitën e tij në Kosovë vitin e kaluar kur ai ishte dekoruar prej tij me medaljen “Urdhri i Lirisë”. "Ai është ndër heronjtë e fundit të erës sonë" shkroi presidenti Thaçi.

Kryetari i parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli shkroi se "vitin e kaluar në Kuvendin e Kosovës kishim nderin të presim senatorin John McCain, mikun e madh të lirisë dhe pavarësisë sonë. I ruaj të paharrueshme mbresat e veçanta nga takimi me të. Një mendje brilante që me pak fraza zbërthente edhe problemet më komplekse të kohës sonë. Kosova ka qenë e bekuar duke pasur miq të tillë si senatorin McCain. Vdekja e tij na ka pikëlluar të gjithëve. Prehu në paqe miku ynë i madh e i paharruar", shkroi ai.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj u shpreh i pikëlluar nga lajmi për vdekjen e senatorit McCain, duke u shprehur ngushëllime familjes së tij, senatit dhe qytetarëve amerikanë.

"Familja humbi të dashurin e vet, Amerika Heroin, kurse Kosova mikun e çmuar, pa të cilin rrugëtimi ynë drejt lirisë dhe shtetkrijimit do të ishte më i vështirë. Fitues në luftë dhe në paqe, luftëtar i madh për të drejtat e njeriut dhe ligjvënës i pashoq. Hyri në zemrat tona si humanist dhe do ta ketë vendin e nderit në kujtesën shtetërore të Kosovës. Lamtumirë mik i Kosovës, John McCain. Pusho i qetë!" shkroi kryeministri Haradinaj.

Ish presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga shkroi se "senatori amerikan John McCain ka qenë një ndër zërat më të fuqishëm për liri dhe demokraci në botë, dhe një mik i dashur i Kosovës dhe popullit tonë. Për mbështetjen e tij të palëkundur, ne gjithmonë do e kujtojmë Senatorin McCain me admirim dhe respekt".

Kosova e ka vlerësuar edhe për të gjallë të senatorit McCain, kontributin për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe thellimin e partneritetit dhe miqësisë në mes të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG