Lidhje

Kosovë: Dy të dënuar në rastin “Medicus”


Një gjykatë në Prishtinë, shpalli fajtor dhe e dënoi me 7 vjet e gjysmë heqje lirie Lutfi Dervishin, pronar i klinikës “Medicus”, nën akuzën për trafikim me qenie njerëzore dhe krim të organizuar dhe ndihmësin e tij Sokol Hajdinin me një vit heqje lirie nën akuzën për lëndim të rëndë trupor.

Në vendimin e gjykatës thuhet se Lutfi Dervishi ishte pjesëmarrës në disa operacione të transplantimit, edhe pse kishte qenë në dijeni se klinika “Medicus” nuk kishte leje për operacione të tilla.

Gjyqtarja e rastit, Franceska Fischer, duke arsyetuar vendimin tha se Lutfi Dervishi në bashkëpunim me persona të tjerë, nëpërmjet mashtrimit dhe keqpërdorimit të pozitës së ndjeshme kanë rekrutuar së paku shtatë persona të cilët i kanë strehuar dhe operuar në klinikën “Medicus”.

Në vitin 2016, Gjykata e lartë e Kosovës urdhëroi rigjykimin e Lutfi Dervishit Sokol Hajdinit. Në rigjykim ishte kthyer edhe procesi ndaj Arban Dervishit, por lënda ndaj tij është veçuar, meqë ai ndodhet në arrati.

Në prill të vitit 2013, një gjykatë e drejtuar nga Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, shpalli fajtor dhe dënoi me gjithsej 20 vjet e tre muaj heqje lirie pesë persona nën akuzat për përfshirje në trafikim dhe transplantim të paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë.

Gjithçka u zbulua në vitin 2008 kur një shtetas turk u gjet në gjendje të rëndë në aeroportin e Prishtinës pasi i ishte marrë veshka.

Aktakuza përfshinte edhe shtetasin izraelit, Moshe Harel, si kreun e rrjetit për rekrutimin e dhuruesve dhe identifikimin e marrësve të organeve, ndërsa mjekun turk Yusuf Sonmez, për kryerje të operacioneve në klinikën private Medicus në Prishtinë. Por, asnjëri nuk është vënë para drejtësisë në Kosovë.

Në muajin janar të këtij viti, Kosova i kërkoi Qipros ekstradimin e një shtetasi izraelit që akuzohet si kreu i një rrejti për rekrutimin e dhuruesve dhe identifikimin e marrësve të veshkave.

Moshe Harel, i cili u arrestua më 5 janar në Qipro, akuzohet për përfshirje në rekrutimin e 20 shtetasve nga Moldavia, Kazakistani, Rusia, Ukraina e Turqia, të cilëve pretendohet se u ishin premtuar nga 20 mijë dollarë për dhurimin e veshkave, ndërsa marrësve të organeve u ishte kërkuar që të paguanin nga 80 mijë deri në 100 mijë dollarë. Ai ishte shpallur i kërkuar që në vitin 2010.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG