Lidhje

Serbët shënojnë 628 vjetorin e "Betejës së Kosovës"


Me një prani më të vogël sesa viteve të kaluara, pjesëtarë të komunitetit serb qëndruan sot në Gazimestan, afër Prishtinës, për të shënuar 628 vjetorin e Betejës mesjetare të Kosovës.

Në ditën e sotme të vitit 1389 ushtritë e Ballkanit u mundën në betejë me ushtritë e Perandorisë Osmane me çka filloi edhe sundimi 500 vjeçar turk në Evropën Juglindore. Serbët e kremtojnë këtë si ditë të fitores së tyre shpirtërore dhe dëshmi të pranisë së tyre në Kosovë.

Për shënimin e kësaj dite, sot është mbajtur liturgji në Manastirin e Graçanicës, afër Prishtinës, ku morën pjesë edhe patriarku serb Irinej, si dhe drejtori i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç.

Ata përsëritën qëndrimet kundër pavarësisë së Kosovës dhe u bënë thirrje qytetarëve serb që të mos i shesin pronat e tyre në Kosovë.

Në ditën e sotme të vitit 1989 në përvjetorin e betejës së Kosovës, ish-presidenti serb, Sllobodan Millosheviç, shpalli siç thuhej, bashkimin e Serbisë, me rrënimin e autonomisë së Kosovës dhe paralajmëroi luftërat e përgjakshme që çuan në shkatërrimin e ish federatës jugosllave.

Njëzet e tetë vjet pas asaj dite, Kosova ka mbushur më shumë se nëntë vjet të pavarësisë së saj të njohur nga mbi 100 vende të botës, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe vendet më të fuqishme të Bashkimit Evropian, ndërsa Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e saj

Të dyja vendet ndodhen në një periudhë bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, adresa e përbashkët e aspiratave të të dyja vendeve për integrim.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG