Lidhje

Kosovë: Kryeministri Mustafa liron nga detyra ministrin Ferid Agani


Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa e ka liruar Ferid Aganin nga posti i ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani. Vendimi i kryeministrit pason kërkesën e vet ministrit Agani, ndaj të cilët ditë më parë Prokuroria e Shtetit ngriti aktakuzë bashkë me 63 të pandehur tjerë, nën dyshimet për përfshirje në keqpërdorim të pozitës zyrtare, dhënie e marrje të ryshfetit si dhe shmangie taksash.

Ministri Agani akuzohet për periudhën kur ka udhëhequr ministrinë e Shëndetësisë në qeverinë e Kosovës.

Ngritja e aktakuzës pasoi hetimet e filluara që në tetor të vitit 2014 kur qenë arrestuar nëntë persona, punonjës të ministrisë së shëndetësisë dhe mjekë, nën dyshimet për përfshirje në veprimtari kriminale.

Hetimet që çuan në aktakuzë ishin zhvilluar nën dyshimet se personat e përfshirë "në bashkëveprim dhe duke shkelur ligjin e prokurimit publik, kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare, duke nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për sigurimin e shërbimeve shëndetësore, të cilat nuk ofrohen në institucionet publike shëndetësore, me spitalet private".

Sipas prokurorisë me veprimet e tilla, u janë mundësuar spitaleve private përfitime materiale, “duke u paguar nga buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë, si autoritet kontraktues, shpenzimet për pacientët që dërgoheshin nga institucionet publike shëndetësore në këto spitale private”.

Në ketë çështje penale hetimet janë zhvilluar kundër 116 personave fizik dhe 4 personave juridik, mirëpo për 56 persona fizik, nuk janë plotësuar kushtet ligjore që të përfshihen në këtë aktakuzë, andaj për të njëjtit janë pushuar hetimet.

Mirëpo, prokuroria tha se për një numër të konsiderueshëm të tyre janë identifikuar disa dyshime për veprime tjera inkriminuese për të cilat po kryhen hetime.

XS
SM
MD
LG