Lidhje

Gjendje e rëndë e romëve, ashkalinjëve dhe egjiptasve në Kosovë


Organizatat joqeveritare thonë se problemi kryesor është mungesa e vullnetit politik për ndryshimin e gjendjes së këtyre komuniteteve

Përfaqësues të organizatave joqeveritare dhe avokatit të popullit, thanë sot se komunitetet rom, ashkali dhe egjiptas, mbeten komunitetet më të diskriminuara në Kosovë. Këto komente u bënë gjatë një diskutimi lidhur me strategjinë për integrimin e këtyre komuniteteve.

Lendrit Qeli, nga Gjakova thotë se ka pasur ngecje në zbatimin e strategjisë për përmirësimin e gjendjes së komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, të cilët përballen me shumë vështirësi, duke filluar që nga edukimi i tyre.

“Pas një raporti që Ballkan Sunflowers ka nxjerrë në të cilën janë intervistuar rreth 13 mijë pjesëtarë të komuniteteve rom, ashkalinj dhe egjiptas në Kosovë, diku rreth 85 për qind e tyre del se ende nuk e kanë kryer shkollën fillore dhe kjo jep të kuptoj një problem shumë të madh, pasi që ndikon edhe në punësimin e tyre, në momentin kur arsimimi është shtylla kryesore që ia mundëson një njeriu të jetë aktiv në shoqëri”, tha zoti Qeli.



Ai i tha Zërit të Amerikës se ende ka fëmijë të këtyre komuniteteve që asnjëherë nuk kanë marrë përkujdesje shëndetësore ndërsa një çështje që mund të rëndojë gjendjen e këtyre komuniteteve janë edhe planet për kthimin e atyre që kishin emigruar në Evropën perëndimore.

“Të gjitha vendet e Evropës kanë marrë një vendim që kthimi i personave me status jo të rregullt duhet të kthehen në Kosovë dhe një numër i madh i këtyre personave vijnë nga radhët e komuniteteve rom, ashkalinj dhe egjiptas. Kjo do të thotë që shumë shpejt një numër i madh i tyre kur të kthehen në Kosovë do ta rëndon edhe më shumë gjendjen e këtyre komuniteteve”, tha zoti Qeli.

Muhamet Arifi nga organizata Ballkan Sunflowers tha se ndonëse ka një strategji për integrimin e këtyre komuniteteve, zbatimi i saj është ende i pjesshëm.

“Problem kyç është mungesa e vullnetit politik si në ministri, qeveri dhe në komuna. Nuk është prioritet për askënd gjendja e komuniteteve rom, ashkalinj dhe egjiptas. Për të gjithë ata është integrimi evropian, janë serbët dhe sendet tjera”, tha zoti Arifi.

Të rëndë situatën e këtyre komuniteteve e cilësoi edhe avokati i Popullit, Sami Kurteshi.

Ka pas disa përmisime në raport me këto komunitete, por ato përmisime kanë qenë vetëm në infrastrukturën e banimit që janë për tu përshëndetur, por në qoftë se papunësia në Kosovë është në mes të 40 dhe 60 për qind, ne vetëm një e themi se papunësia në mesin e komuniteteve rom, ashkalinj dhe egjiptas është mbi 90 për qind edhe këtu ne e vërejmë diskriminimin dhe këtë duhet ta themi hapur”, tha zoti Kurteshi.

Përfaqësuesit e këtyre pakicave, ankohen për mbetje nën hijen e marrëdhënieve ndërmjet komunitetit shumicë shqiptarë dhe atij pakicë serb, vlerësime këto që shpesh janë përfshirë edhe në raportet e organizatave ndërkombëtare që trajtojnë gjendjen e pakicave në Kosovë.
XS
SM
MD
LG