Lidhje

Kosova kërkon rreth 1 mijë e 800 te zhdukur


Vezire Batusha, Krushë e Vogel
Vezire Batusha, Krushë e Vogel

Në ditën ndërkombëtare të personave të zhdukur është bërë thirrje për ndriçimin e fatit të 1 mijë e 770 personave, pjesa më e madhe shqiptarë.

Vezire Batusha, nga fshati Krushë e vogël i komunës së Rahovecit, tash e 13 vjet nuk di asgjë se ku mund te jenë trupat e dy djemve dhe burrit të saj. Të tre ata, së bashku me 110 burra të tjerë të fshatit, ishin marrë nga forcat serbe në fund të marsit të vitit 1999 dhe prej atëherë nuk dihet se ku mund të jenë dërguar.

Që 13 vite nuk e dimë fatin e tyre. Kemi dëshirë të dimë fatin e tyre, me ardhë në fshatin tonë që të varrosen në mënyrë që tu dihet shenja e tyre. Që 13 vite nuk e dimë fatin e tyre. Kemi dëshirë të dimë fatin e tyre, me ardhë në fshatin tonë që të varrosen në mënyrë që tu dihet shenja e tyre”, tha Vezire Batusha.

Fshati mbetet ndër vendet me më së shumti persona të zhdukur thotë Agron Limani, kryetar i Asociacionit të familjarëve të zhdukur në Krushë të vogël.

Prej 113 të zhdukurve në atë kohë, vetëm 27 deri më tani janë identifikuar dhe rivarrosur, kurse 86 prej tyre ende mbeten persona të zhdukur”.

Burrat e fshatit të marrë nga forcat serbe ishin qëlluar nga afër dhe më pas trupat ishin transportuar në drejtim të panjohur.

Ata jo vetëm që i kanë mbytur por edhe i kanë zhdukur kufomat. Mas me iu ditë pas 14 viteve kufomat s’ka më keq. Ti e ke mbytur, pse po e hup. Po bëhen 14 vite që ne nuk dimë për fatin e tyre”, tha zonja Batusha.

Zoti Limani thotë se nuk ka pasur mjaft përpjekje për të zbardhur ngjarjet, meqë sipas tij, ndjekja e autorëve do të ndihmonte edhe ndriçimin e fatit të të zhdukurve.

Në pranverën e këtij viti, Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, hapi hetimet për masakrën në fshatin Krushë e Vogël dhe sipas prokurorëve, mbi 50 veta do të mund të përballen me akuza për krime lufte kundër popullatës civile, dëbimin e grave dhe fëmijëve nga fshati dhe shkatërrimin e pronës.

Masakra në Krushë të Vogël, vlerësohet si nga më të rëndat gjatë luftës së Kosovës dhe pasojat e saj janë të rënda edhe sot e kësaj dite thotë Agron Limani.

Krusha në aspektin material ka pësuar një ndryshim pozitiv, mirëpo dhimbja e përcjellët vit pas viti për faktin se një numër i madh i familjeve përveç që kanë pësuar viktima në familjet e tyre, prej tyre një numër i familjeve konkretisht dymbëdhjetë familje kanë mbetur pa asnjë mashkull në shtëpi. Domethënë pamundësi në reprodukimin e ardhshëm dhe kjo e bën edhe më të rëndë gjendjen”, tha zoti Limani.

Edhe 13 vjet pas luftës nuk dihet asgjë për fatin e 1 mijë e 770 personave, pjesa më e madhe e të cilëve të përkatësisë kombëtare shqiptare. Themelet e një obelisku u hodhën sot në qendër të Prishtinës me rastin e 30 gushtit ditës ndërkombëtare të personave të zhdukur.

Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Amnesty International, u ka bërë thirrje qeverive të Ballkanit, për ndriçimin e fatit të personave të zhdukur, çështja e të cilëve, sipas kësaj organizate, është burim i vazhdueshëm dhimbjeje për të afërmit e tyre.
XS
SM
MD
LG