Lidhje

Rrëzohet muri në veriun e Mitrovicës


Të dielën në Mitrovicën e veriut u rrënua muri i ngritur në dhjetor të vitit të kaluar nga autoritetet komunale në atë zonë.

Rrënimi i murit pasoi një marrëveshje me qeverinë qendrore të ndërmjetësuar nga ambasada amerikane në Prishtinë dhe zyra e Bashkimit Evropian. Shefja e kësaj zyre, Natalya Apostolova, e cila ndoqi nga afër punimet për rrënimin e murit, tha se kjo dëshmon që të dyja palët "mund të arrijnë marrëveshje kur ka vullnet politik".

Çështja e murit kishte nxitur debate dhe pakënaqësi të shumta për më shumë se dy muaj. Autoriteteve dhe partitë politike në Kosovë ngritjen e këtij muri e patën cilësuar si një veprim që bie ndesh me marrëveshjen për liri të lëvizjes në qytetin e ndarë në dy pjesë, në veriun me shumicë shqiptare dhe jugun me shumicë serbe, ndërsa për rrënimit e tij ishte miratuar edhe një rezolutë nga Parlamenti i Kosovës.

Autoritetet lokale serbe në veriun e Mitrovicës vazhdimisht thanë se muri është pjesë e një projekti për ndërtimin e një shëtitoreje dhe se nuk synonte ndarje të qytetit.

Marrëveshja për lëvizje të lirë që është arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian bëri të mundur që në gusht të këtij viti të fillojnë punimet për zhbllokimin e urës. Bashkimi Evropian ka investuar 1.2 milion euro për revitalizimin e saj.

Ura qendrore mbi lumen Ibër ishte mbajtur mbyllur nga serbët lokal që nga muaji korrik i vitit 2011 në shenjë kundërshtimi ndaj ndërhyrjes së forcave të posaçme të policisë së Kosovës për të vënë nën kontroll vendkalimet kufitare ndërmjet Kosovës e Serbisë në veri.

Ngritja e murit, që u pasua nga arrestimi i ish kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj në bazë të një urdhër arresti serb si dhe ndalimi i hyrjes në Kosovë të një reni nga Serbia me mbishkrime kundër pavarësisë së Kosovës, çuan në tensione të larta ndërmjet të dyja palëve.

Bashkimi Evropian organizoi dy takime në nivelin më të lartë politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, por deri sot në mëngjes nuk shiheshin shenja të uljes së tensioneve me gjithë zotimet e të dyja palëve. Zhvillimet rreth murit mund të shënojnë një hap të ri në marrëdhëniet edhe ashtu të vështira ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG