Lidhje

Kosovë: Shtyhet ratifikimi i marrëveshjes me Malin e Zi


Parlamenti i Kosovës shtyu për të premten seancën e jashtëzakonshme për ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi, për shkak të mungesës së votave. Mospajtimet ndërmjet partive politike që zunë fill që në nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje në gusht të vitit 2015, ende mbeten te thella.
Kosovë: Shtyhet ratifikimi i marrëveshjes me Malin e Zi
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:13 0:00

Në mungesë të votave të nevojshme, parlamenti i Kosovës e shtyu për të premten seancën e jashtëzakonshme për votimin e projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Pas rreth dy orë pritjeje, në përpjekje për të siguruar dy të tretat e votave të parlamentit 120 vendesh, kryetari i parlamentit, Kadri Veseli, njoftoi se seanca shtyhet për nesër.

“Më lejoni të theksoj optimizmin tim se jemi në rrugë të mirë për të arritur konsensusin e përbashkët, falënderoj në mënyrë të veçantë një pjesë të opozitës e në të njëjtën kohë edhe kolegët nga pozita. Kemi një dakordim të përbashkët që seanca e jashtëzakonshme të vazhdoj nesër në ora 10”, tha zoti Veseli.

Votat nuk u siguruan dot meqë Lidhja Demoratike e Kosovës e kushtëzoi votimin e kësaj marrëveshjeje, me tërheqjen nga projektligji të raportit të Komisionit te ri shtetëror që ishte themeluar në fillim të mandatit të qeverisë re.

Ambasadori amerikan Greg Delawie, u bëri thirrje sërish deputetëve që të votojnë marrëveshjen.

“Është marrëveshja e drejtë dhe marrëveshja e duhur. Politikanët duhet të bëjnë kompromis në një mënyrë ose tjetër për të votuar këtë marrëveshje sepse kjo është shumë e rëndësishme. Le të mos harrojmë qëllimin përfundimtar që është liria e lëvizjes së qytetarëve të Kosovës në Evropë”, u shpreh ambasadori amerikan.

Qeveria e Kosovës para pak ditësh tërhoqi projektligjin e vjetër dhe miratoi projektligjin e ri për ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi, në të cilën përfshihet edhe deklarata e përbashkët e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidentit të Malit të Zi Filip Vujanovic, me te cilën shprehet gatishmëria për shqyrtimin e gabimeve të mundshme.

Lëvizja Vetëvendosje përsëriti qëndrimin kundër kësaj marrëveshjeje, ndërsa Lista Serbe nuk u paraqit fare në seancë. Në një deklaratë të këtij subjekti politik thuhet se çështja kufirit nuk është dakorduar me të dhe ata nuk do ta mbështesin.

Autoritetet po bëjnë përpjekje të sigurojnë votimin e projektligjit për çështjen e kufirit me Malin e Zi, që ka ndarë skenën politike në vend për gati tre vjet. Marrëveshja është ratifikuar nga parlamenti i Malit të Zi, por nuk është ratifikuar nga Kosova për shkak të mospajtimeve që çuan edhe në skena të dhunshme në parlament dhe jashtë tij. Kundërshtarët e marrëveshjes pohojnë se Kosova humb mbi 8 mijë hektarë tokë. Mos ratifikimi i kësaj marrëveshjeje që është kusht për liberalizimin e vizave ka bërë që qytetarët e Kosovës ende të presin në radhë për viza para ambasadave evropiane.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG