Lidhje

Një muaj paraburgim për deputetin Shkumbin Demaliaj


Një gjykatë në Prishtinë i caktoi të premten masën e paraburgimit prej 30 ditësh deputetit të parlamentit të Kosovës, Shkumbin Demaliaj, nën dyshimet për kërcënime ndaj një prokurori, rasti i dytë gjatë ditëve të fundit.

Një ditë më parë, një gjykatë në Prishtinë i i caktoi masën e paraburgimit prej 30 ditësh deputetit nga radhët e Nismës Socialdemokrate, Milaim Zeka, i cili u ndalua të mërkurën nën dyshimet për kërcënim ndaj prokurorit Afrim Shefkiu, që ka ngritur aktakuzë kundër deputetit Zeka dhe dy personave të tjerë për veprat penale “mashtrim, shmangie nga tatimi dhe pastrim parash".

Të premten Gjykata i caktoi paraburgimin deputetit Shkumbin Demaliaj nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës nën dyshimet për kërcënimin e ish prokurorit Elez Blakaj, i cili muajin e kaluar dha dorëheqje për shkak të siç kishte thënë kërcënimeve gjatë kohës sa po hetonte çështjen e pensioneve të veteranëve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Zoti Demaliaj dhe 11 anëtarë të tjerë të Komisionit qeveritar për për njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranëve të luftës, janë akuzuar më 12 shtator nën dyshimet për veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, në rastin e njohur në Kosovë si "veteranët".

Dy ditë pasi që prokuroria e Posaçme e Kosovës, ngriti aktakuzën, në mediet lokale u publikua një listë e atyre që janë cilësuar si "veteranë të rremë". Lista nxiti zemërim dhe reagime të ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Akuza ka të bëjë me dyshimet se listat e veteranëve përfitues të pensioneve është fryrë me emra të njerëzve që nuk ishin pjesë e luftës.

Më herët gjatë kësaj jave, zoti Demaliaj kishte thënë se "do të marrë ceshtjen në dorë nëse autoritetet nuk merren me zotin Blakaj".

Të premten zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, njoftoi se "ka kërkuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë që të fillohen hetimet paraprake për të verifikuar çdo veprim të personave zyrtarë në sistemin prokurorial dhe gjyqësor, si dhe, të zyrtarëve apo personave të tjerë jashtë këtyre sistemeve, nëse të njëjtit kanë kryer vepër penale me rastin e publikimit të emrave të personave të përfshirë në listat e veteranëve apo pjesëtarëve luftëtarë të UÇK-së".

Pas publikimit të listës, ish prokurori Blakaj, shkroi në facebook se nuk mban përgjegjësi "për aktakuzën e ndryshuar/plotësuar dhe nënshkruar nga një prokuror tjetër, e as për publikimin e emrave, sepse ekziston një parim i cili duhet respektuar-prezumimi i pafajësisë".

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG