Lidhje

Kosovë: Arrestohet e më pas lirohet deputeti Dardan Molliqaj


Policia e Kosovës arrestoi të hënën deputetin e parlamentit të Kosovës nga radhët e Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj i cili më pas u la i lirë pas paraqitjes në prokurorinë themelore në Prishtinë.

Policia e Kosovës tha se ka zbatuar një urdhër arresti të lëshuar më 12 maj dhe e ka dërguar deputetin në prokurorinë themelore, por nuk ka dhënë më shumë hollësi.

Prokuroria në Prishtinë, tha se në maj të vitit 2015 kishte pranuar kallëzim penal i ushtruar nga Policia e Kosovës, për zotin Molliqaj nën dyshimet për veprën penale “sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”. Hetimet ishin hapur në tetor të vitit 2017.

“Përkundër disa ftesave të dërguara nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, për ta siguruar deklaratën e tij, nuk është paraqitur dhe asnjëherë nuk e ka arsyetuar mos paraqitjen e tij në intervistim”, thuhet në njoftimin e prokurorisë sipas së cilës Gjykata Themelore në Prishtinë, më 12 maj ka lëshuar urdhër arrest, i cili është zbatuar të hënën dhe “i dyshuari i lartcekur është intervistuar e më pas është liruar në procedurë të rregullt”.

Partia Socialdemokrate tha se deputeti Molliqaj u arrestua në lidhje me pjesëmarrjen e tij në një protestë të vitit 2015 me kërkesën për lirimin e kryetarit të lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pjesë e së cilës ishte atëbotë edhe zoti Molliqaj.

Kjo parti e dënoi arrestimin e deputetit duke e cilësuar atë si veprim në kundërshtim me liritë dhe të drejtat e njeriut dhe shkelje të plotë të procedurave ligjore.

“Ai është arrestuar në banesën e tij dhe nuk ka qenë i paralajmëruar më herët për seancë apo paraqitje ne gjykatë”, thuhet në njoftimin e kësaj partie.

Vitin e kaluar, 12 ish deputetë të lëvizjes Vetëvendosje, u ndanë prej saj dhe u bashkuan Partisë Socialdemokrate, që drejtohej nga Kaqusha Jashari.

Ndarja pasoi dorëheqjet përgjatë disa muajve të fundit të një pjese të deputetëve të lëvizjes Vetëvendosje, pas krizës në atë parti që pasoi publikimin e bisedave private të disa deputetëve të saj në të cilat ishte përvijuar edhe një shprehje fyese për themeluesin e lëvizjes, Albin Kurti.

Në zgjedhjet e përgjithshme të 11 qershorit të vitit 2017, Vetëvendosje arriti të fitojë 32 vende në parlamentin e Kosovës duke u bërë subjekti i parë në Kosovë ndërsa në zgjedhjet për pushtetin komunal fitoi tri komuna përfshirë dy kryesoret Prishtinën dhe Prizrenin.

Dorëheqjet e lanë atë me 19 deputetë, duke e radhitur si forcën e tretë politike në parlamentin e Kosovës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG