Lidhje

Kosovë: Deputeti Etem Arifi në vuajtje të dënimit më heqje lirie


Deputeti i parlamentit të Kosovës, Etem Arifi, u paraqit të martën në Shërbimin Korrektues për të vuajtur një dënim më burg, pas disa muajsh arratie të përshkuara me debate për vlefshmërinë e votës së tij më 25 mars kur ishte rrëzuar qeveria e ish kryeministrit Albin Kurti dhe 3 qershor kur u miratua qeveria e kryeministrit Avdullah Hoti.

Deputeti Arifi, në prill të vitit 2018, ishte dënuar me dy vjet burgim, pasi që ishte shpallur fajtor për veprën penale “të mashtrimit me subvencione”. Sipas vendimit të gjykatës ai bashkë me Bajram Gashin, drejtor i Organizatës Joqeveritare “Zëri i Ashkalinjve”, janë përgjegjës për përvetësimin e rreth 26 mijë eurove.

Dënimi i zotit Arifi, ishte konfirmuar edhe nga Gjykata e Apelit, të datës 20 gusht 2019, me të cilin dënimi me burgim ishte ulur në një vit e tre muaj.

Deputeti Arifi kishte dërguar ankesë në Gjykatën Kushtetuese, por ajo u shpall e papranueshme.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, mandati i deputetit mbaron ose bëhet i pavlefshëm, nëse dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale me një ose më shumë vjet burgim.

Por, përkundër dënimit të formës së prerë, zoti Arifi morri pjesë në dy seanca të rëndësishme të parlamentit të Kosovës, meqë gjykata i miratoi dy kërkesat e tij për shtyrje të ekzekutimit të dënimit për, siç thuhej, shkaqe shëndetësore.

Në seancën e parlamentit më 25 mars ai votoi në mbështetje të mocionit të mosbesimit të ngritur nga Lidhja Demokratike e Kosovës që çoi në rrëzimin e qeverisë së drejtuar nga kryetari i lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti.

Zoti Arifi me 3 qershor votoi në favor të ngritjes së qeverisë së re të kryeministrit Avdullah Hoti.

Lëvizja Vetëvendosje e dërgoi në Gjykatës Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e ligjshmërisë së pjesëmarrjes në votim të deputetit Arifi. Kjo lëvizje vlerëson se "pjesëmarrja e zotit Etem Arifi në seancë dhe votimi i tij, aq më tepër si votë përcaktuese, e thellon edhe më shumë paligjshmërinë e kësaj qeverie dhe e bën edhe proceduralisht të paligjshëm vendimin e Kuvendit për votimin e Qeverisë. Është e përcaktuar qartë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës se mandati i deputetit humb ose bëhet i pavlefshëm në rast të dënimit për vepër penale me një vit e më shumë burg”, thekson kjo lëvizje.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, i tha Zërit të Amerikës se edhe rregullorja e punës së Kuvendit dhe praktika e ndërtuar deri më tani përcakton se “deputeti e humb mandatin nëse dënohet me aktgjykim të formës së prerë gjatë kohës që ushtron mandatin në legjislaturën përkatëse dhe në rastet kur nuk mund ta ushtroj mandatin me më shumë se gjashtë muaj për shkak të vuajtjes së dënimit me burgim”.

Në këtë kuadër, tha zoti Miftaraj, në kohën kur i dënuari fillon vuajtjen e dënimit me burgim dhe për këtë njoftohet parlamenti, mund të fillojnë procedurat për marrjen e mandatit të deputetit.

Gjykata Kushtetuese ende nuk ka dhënë vlerësimin e saj.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG