Lidhje

Kosovë, konfiskohen rreth 400 kilogramë kokainë


Autoritetet në Kosovë kapën rreth 400 kilogramë lëndë narkotike të tipit kokainë dhe arrestuan të paktën 7 persona, në një operacion në komunën e Lipjanit rreth 20 kilometra në jug të Prishtinës.

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, tha në një konferencë me gazetarë se operacioni u krye në bashkërendim më autoritetet e Italisë dhe Shqipërisë.

“Me urdhër të Prokurorisë Speciale dhe në bashkëpunim të ngushtë me policinë e Kosovës, autoritetet italiane dhe ato të Shqipërisë, sot janë ndërmarr masa dhe veprime të cilat kanë rezultuar me konfiskimin e rreth 400 kilogramëve të narkotikëve të llojit kokainë, vlera e të cilës arrin në rreth 20 milionë euro si dhe janë konfiskuar një sasi e të hollave, vetura dhe sende tjera”, tha zoti Lumezi.

Prokuroria tha se gjatë hetimeve janë përdorur masa të fshehta dhe se lëvizja e narkotikëve është ndjekur nga shteti i Brazilit deri në Itali e pastaj në Durrës dhe deri në Kosovë. Lëndët narkotike ishin paketuar bashkë me prodhime të mishit.

Sipas autoriteteve lëndët narkotike nuk kishin për destinacion Kosovën por një vend tjetër.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Sabedin Mehmeti, paralajmëroi vazhdimin e operacionit gjatë të cilit deri tani “janë arrestuar shtatë persona, shtetas të Kosovës. Lidhur me këtë rast policia është në kërkim edhe të disa personave të dyshuar tashmë të njohur për policinë dhe që dyshohen që kanë qenë pjesë e grupit kriminal”, tha ai.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se operacioni i është kryer në bashkërendim me “institucionet e partnerëve tanë” dhe përgëzoi "pjesëtarët e Policisë së Kosovës për kryerjen e shkëlqyeshme të detyrës së tyre".

“Republika e Kosovës, me të gjitha kapacitetet e saj, do të jetë e pakompromis në luftimin e të gjitha aktiviteteve kriminale, që rrezikojnë sigurinë e qytetarëve dhe që sfidojnë sundimin e ligjit”, tha ai në një postim në rrjetet sociale.

Raportet e ndryshme ndërkombëtare e cilësojnë Kosovën si rrugë kalimtare për narkotikët.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG