Lidhje

Paqeruajtësit në Kosovë hetojnë vdekjen e një ushtareje amerikane


Ushtarja Heidi Ruh u gjet e vdekur në rrethana te paqarta në një kamp të forcave amerikane në Kosovë

Forcat paqeruajtëse në Kosovë thanë se janë duke hetuar rrethanat e vdekjes së një pjesëtareje amerikane të KFOR-it, trupi pa jetë i së cilës ishte gjetur më 9 maj në kampin e këtyre trupave, në Bondsteel në Kosovën lindore.

Autoritetet ushtarake amerikane thanë se ushtarja Heidi Ruh, 32 vjeçare nga Ëisconsini lindor ka humbur jetën në rrethana ende të paqarta dhe nuk kanë bërë më shumë komente rreth shkaqeve të saj.

Mediet lokale amerikane citojnë të atin e ushtares, Scott Ruh, të ketë thënë se oficerët që i kumtuan lajmin nuk kanë dhënë shumë hollësi se çfarë i ka ndodhur së bijës.

Ai tha se Heidi Ruh shërbente në ushtrinë amerikane prej 11 vjetësh dhe gjatë kohë sa ishte e vendosur ne Fort Hood të Teksasit, i kishte mbijetuar një sulmi nga nje oficer në vitin 2009. Që nga muaji shkurt kur ishte vendosur ne Kosovë ajo shërbente në njësinë e përkujdesjes shëndetësore. Më herët ajo kishte shërbyer edhe në Afganistan.

Heidi Ruh ka lënë prapa edhe dy fëmijë 8 dhe 11 vjeç.

Mbi 150 pjesëtarë të forcave paqeruajtëse të NATO-s kanë humbur jetën në aksidente e incidente të ndryshme në Kosovë që nga vendosja e tyre në vitin 1999 me çka ju dha fund luftës gati dyvjeçare.

Aktualisht, mbi 5 mijë trupa të NATO-s shërbejnë në Kosovë.
XS
SM
MD
LG