Lidhje

KFOR-i kërkon shmangien e veprimeve që tensionojnë situatën në Kosovë


Komandanti i forcave paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja në Kosovë, gjeneralmajor Salvatore Cuoci, u bëri thirrje të gjitha palëve që të zgjidhin çështjet e hapura në mënyrë paqësore dhe të shmangin çdo mundësi të përdorimit të dhunës.

Ai i bëri këto komente në një konferencë me gazetarë duke folur për zhvillimet e javës së kaluar në veri të vendit, kur policia e Kosovës arrestoi katër pjesëtarë të komunitetit serb, tre nga të cilët në kuadër të hetimeve për vrasjen e politikanit lokal serb, Oliver Ivanoviç.

KFOR-i kërkon shmangien e veprimeve që tensionojnë Kosovën
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:22 0:00

Komandanti Cuoci tha se gjatë javës së fundit për shkak të disa zhvillimeve ndërkombëtare dhe ekonomike janë rritur tensionet, posaçërisht në veriun e Kosovës.

“I thërras të gjithë që të zgjidhin mosmarrëveshjet në mënyrë paqësore dhe me përgjegjësi, duke hedhur poshtë përdorimin e forcës dhe dhunës. Ne llogarisim nga të gjithë në rajon që të tregojnë përmbajtje dhe të mbështesin çdo përpjekje që çon në normalizimin e situatës së sigurisë dhe shmang krijimin e tensioneve”, tha ai, duke nënvizuar se Kosova ka arritur përparim të madh drejt normalizimit dhe do të ishte gabim shumë i madh t’i humbas ato përparime duke kthyer situatën prapa si para njëzet viteve.

Komandanti Cuoci tha se koha e organizimit të operacionit policor në veri të vendit ndonjëherë ofron edhe mundësinë për të qenë paksa e dyshimtë, por kjo sipas tij është identifikuar dhe sqaruar me institucionet në Kosovë.

“Natyrisht kur operacioni i policisë ndodhë në kohën kur tensionet mund të rriten, është shumë rrezik dhe kjo është diçka që ne kërkojmë të bashkërendojmë me qëllim të parandalimit të rritjes së tensioneve. Ne mund të jemi efektiv në çdo kohë, por ne nuk kemi nevojë të rrisim tensionet, veçanërisht kur ka shumë çështje në terren që po ndodhin”, tha ai.

Ai tha se duhet edhe bashkëpunimi i Beogradit për të kontrolluar situatën.

Operacioni i policisë nxiti reagime të shumta në veriun e Kosovës dhe autoriteteve në Serbi, në një periudhë tensionesh të larta politike pas vendimit të qeverisë së Kosovës për një taksë prej 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia, që nxiti zemërimin e Beogradit por edhe thirrjet e Bashkimit Evropian, për heqjen e takës.

Kosova e Serbia janë përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve, që është kusht për integrimet evropiane. Por, vazhdimi i këtij procesi duket i vështirë pas zhvillimeve të fundit politike.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG