Lidhje

Pezullohen protestat e serbëve në kufirin verior


Ata thanë se pezullimi i protestave nuk nënkupton pajtim me marrëveshjen për menaxhimin e përbashkët të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Përfaqësuesit e serbëve në veriun e Kosovës thanë se kanë vendosur të pezullojnë përkohësisht protestat në vendkalimin kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Jarinë, me të cilat kundërshtohej marrëveshja për menaxhimin e përbashkët të kufirit.

Vendimi pasoi një takim të së enjtes të përfaqësuesve të serbëve në veri me autoritetet e larta të shtetit serb në Beograd. Ata thanë se kanë marrë garanci nga qeveria e Serbisë se në vendkalimet kufitare në veri, nuk do të paguhet dogana për mallrat e destinuara për veriun e Kosovës dhe se do të vazhdojë përdorimi i dokumenteve të lëshuara nga Republika e Serbisë.

Një nga përfaqësuesit e serbëve në veri Kërstimir Pantiç, tha se nuk ka asnjë arsye që të mos pranohen përfundimet e Qeverisë së Serbisë.

Të gjitha kërkesat tona janë pranuar edhe nga ana e Bashkimit Evropian, por edhe nga ana e kryeministrit të Kosovës. Unë nuk shoh asnjë arsye që ky kuvend sot të mos i mbështesë përfundimet e Qeverisë së Republikës së Serbisë dhe në periudhën e ardhshme, së bashku me qeverinë tonë, të arrijmë zgjidhjen më të mirë të mundshme, jo vetëm për statusin e veriut, por për të gjithë Kosovën”, tha ai.

Por, ata thanë se pezullimi i protestave nuk nënkupton pajtim me marrëveshjen për menaxhimin e përbashkët të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që ata e shohin si njohje të pavarësisë së Kosovës nga Beogradi.

Të martën, kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, janë pajtuar që dy nga vendkalimet kufitare në Merdarë dhe në Jarinë të jenë funksionale që nga dhjetë dhjetori.

Por, të dyja palët kanë shprehur pikëpamje të ndryshme. Derisa Beogradi, që vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës, thotë se nuk bëhet fjalë për vendosje kufiri, Prishtinë thekson se kjo është pika fillestare e vënies së kufirit mes të dy shteteve.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi tha se me fillimin e zbatimit të marrëveshjes për menaxhimin e përbashkët të kufirit do të bëhet e qartë se Kosova nuk ndahet dhe veriu nuk do të ketë status të veçantë.

Besojmë shumë që me datën 10 dhjetor në mëngjes secili do të bindet, sidomos iluzionistët që Kosova do të ndahet apo do të ketë organizim tjetër, që kjo nuk ndodhë dhe kjo po pranohet nga të dy shtetet dhe nga bashkësia ndërkombëtare. Do të ketë të pakënaqur, sidomos ata që janë marrë me kontrabandë dhe me krim të organizuar, por besoj se Serbia do të jetë serioze në mos financimin dhe fuqizimin e tyre”, tha Kuçi.

Kosova dhe Serbia janë përfshirë në një proces të ri bisedimesh politike për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre dhe më ketë proces Serbisë i është kushtëzuar data e fillimit të negociatave për anëtarësim, ndërsa Kosovës, ajo e fillimit të negociatave për marrëveshjen e stabilizim asocimit me Bashkimin Evropian.
XS
SM
MD
LG