Lidhje

Debatohet kuadri ligjor kundër krimit dhe korrupsionit


Me mbështetjen amerikane, përfaqësues të Kosovës dhe vendeve të rajonit po debatojnë për konfiskimin e pasurive të vëna në mënyrë të paligjshme.

Ambasadorja amerikane në Kosovë, Tracey Jacobson, tha sot se vendosja e sundimit të ligjit është çështje thelbësore jo vetëm për Kosovën, por edhe për vendet fqinje të saj. Ajo i bëri këto komente në fillim të takimit rajonal lidhur më mbledhjen e dëshmive dhe konfiskimin e pasurive të vëna në mënyrë të paligjshme, në të cilin po marrin pjesë përfaqësues të Shqipërisë, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Kosovës. Ambasadorja Jacobson bëri thirrje për shtim të bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Sigurisht që kriminelët nuk respektojnë ligjin e as kufijtë shtetërorë. Grupet e organizuara kriminale shpesh shtrihen përtej kufijve dhe fshehin pasurinë e tyre në vendet e ndryshëm. Edhe korrupsioni shumë lehtë mund të shtrihet jashtë kufirit”, tha ambasadorja Jacobson.



Edhe zëvendëskryeministri i Kosovës Hajredin Kuçi, vuri theksin në nevojën e tejkalimit të dallimeve ndërmjet vendeve fqinje, në funksion të luftës kundër krimit.

Luftimi i krimit të organizuar nuk mund të bëhet vetëm. Prandaj, bashkëpunimi rajonal nuk është vetëm i dobishëm, por i domosdoshëm. Besoj fuqishëm që vendet në rajonin e Ballkanit do të arrijnë atë shkallë të civilizimit dhe bashkëpunimit me njëra tjetrën, sa të lënë anash të gjitha dallimet e tyre politike dhe të bashkëpunojnë më shumë sesa që arrijnë të bashkëpunojnë që kriminelët të përballen me drejtësinë”, u shpreh Kuçi.

Zoti Kuçi tha se Kosova po plotëson kuadrin e saj ligjor për forcimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke numëruar në këtë kuadër edhe projektligjin për përgjegjësitë e zgjeruara për konfiskimin e pasurive të fituara me anë të veprave penale, që tashmë është dërguar në Parlamentin e Kosovës për miratim.

Po sot, një forum i organizatave joqeveritare kundërshtoi këtë projektligj, duke kërkuar në radhë të parë ndryshimin e emërtimit të tij. Forumi kërkon që projektligji duhet të përcaktojë konfiskimin e pasurive të fituara në mënyrë të paligjshme, e jo vetëm ato me vepra penale.

Por, zoti Kuçi thotë se projektligji bashkë me Kodin e Procedurës penale, në fakt arrin disa qëllime.

Në një, lejohet që gjykata të urdhërojë konfiskimin e dobisë pasurore nga vepra penale të fituar para dënimit të tij për vepër penale. Nën dy, në rastet kur i pandehuri është i dënuar për veprën penale, do të lejohet që gjykata të urdhërojë konfiskimin e pasurisë së fituar me aktivitete të ngjashme me ato për të cilat është dënuar. Dhe nën tre, në raste kur personi është dënuar dhe ka pronë që është jo proporcionale me të ardhurat e tij legjitime, gjykata mund të urdhërojë konfiskimin këtyre pasurive nëse ajo bindet se është fituar me aktivitet kriminal”, shpjegoi zoti Kuçi.

Zoti Kuçi i bëri thirrje Parlamentit që të miratojë projektligjin për të mundësuar siç tha, që një janari i vitit që po vjen ta gjej Kosovën më kuadër të fuqishëm ligjor për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Ndërkaq organizatat joqeveritare i kërkuan Parlamentit që të kthej projektligjin në qeveri, duke shprehur bindjen se, siç thuhet, ai në vend që të dënojë, mund të amnistojë të gjithë ata persona që pas luftës kanë krijuar pasuri milionëshe në rrugë të paligjshme.
XS
SM
MD
LG