Lidhje

OSBE: Rritje shqetësuese e rasteve të dhunës në familje në Kosovë


Kanë kaluar pak më shumë se një muaj që kur Kosova regjistroi rastet e para të të prekurve nga COVID-19-ta, që sfidoi sistemin e brishtë shëndetësor të vendit dhe krijoi një realitet të ri për shkak të masave emergjente për ta luftuar përhapjen e kornavirusit, sic është edhe mbyllja e qytetarëve në shtëpi.

Shefi i misionit në Kosovë të Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë, Jan Braathu, në një bisedë për Zërin e Amerikës, tha se që nga fillimi i përhapjes së koronavirusit është vërejtur një rritje e rasteve të dhunës në familje.

OSBE: Rritje shqetësuese e rasteve të dhunës në familje në Kosovë
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:13 0:00

Nëse krahasohet muaji mars i këtij viti me atë të vitit të kaluar rritja është 36 për qind, thotë ai.

“Në fakt ajo që është edhe më shqetësuese, është se në disa zona kemi parë 136 për qind rritje të dhunës dhe ta zëmë në Prishtinë që është kryeqytet kemi parë rritje prej 87 për qind. Për shkak të kësaj kemi vendosur se është mirë të punojmë në ngritje të ndërgjegjësimit. Çështja kryesore është t’u themi viktimave eventuale të dhunës në familje se kanë alternativë dhe se ka shërbim në gatishmëri të tyre ku duhet të raportojnë. Po ashtu, shpresojmë se kjo fushatë ndërgjegjësimi do të prekë edhe kryerësit e mundshëm të kësaj dhune ashtu që të mendojnë më shumë se dy herë para se t’i lëndojnë të dashurit e tyre”, thotë ai.

Njomza Dragusha – Llugaliu, psikologe, thotë se masat kundër koronavirusit duket se po arrijnë të ruajnë shëndetin fizik të qytetarëve, por jo atë mendor.

“Derisa po gjendemi në një situatë ku nuk jemi të sigurt se për sa kohë do të na kërkohet të mbajmë distancën shoqërore, kjo vetvetiu krijon ankth, frustrim dhe stres, gjë që shkakton rrezikun e rritjes së dhunës. Në një marrëdhënie abuzive, ambienti shtëpiak mund të bëhet nxitës për sjellje te dhunshme. Abuzimi ka të bëjë me fuqinë dhe kontrollin dihet, por të mbijetuarit detyrohen të qëndrojnë tani më gjatë në shtëpi ose në afërsi të dhunuesve të tyre”, thotë zonja Llugaliu.

Ajo veçon disa kategori më të ndjeshme kundrejt pasojave të izolimit.

“Njerëzit në varësi të substancave narkotike, por edhe të prekurit me sëmundje kronike si me depresion dhe çrregullime të stresit postraumatik kanë tendencë të përkeqësimit të gjendjes së tyre shpirtërore dhe psikike. Pasi që mundësitë për të kërkuar ndihmë janë të kufizuara apo në raste të caktuara të pamundshme, kjo padyshim që do të çojë në përkeqësim të raporteve ndërnjerëzore në familje”, thotë ajo.

Policia e Kosovës: 481 raste të dhunës në familje në tre muajt e parë të vitit

Policia e Kosovës njoftoi të mërkurën se në tre mujorin e parë të këtij viti, janë regjistruar gjithsej 481 raste të dhunës në familje. Përmes një komunikate për media policia tha se në muajin janar janë regjistruar 161 raste, në muajin shkurt 151 dhe në mars 169 raste të dhunës në familje.

Sipas policisë viteve të fundit ka një rritje të raportimit të dhunës. Gjatë vitit 2017 kanë qenë të raportuara një mijë e 269 raste, në vitin 2018 një mijë e 541 dhe ne vitin 2019 një mijë e 915 raste të raportuara në nivel vendi.

Policia bëri thirrje që posaçërisht në këtë kohë pandemie, ku kërkohet qëndrimi në shtëpi, qytetarët që të mos shfaqin dhunë ndaj askujt, duke nënvizuar se ky institucion vazhdon të trajtojë më përparësi rastet e dhunës në familje dhe inkurajon raportimin e saj.

Sipas organeve te rendit, brenda një viti në Kosovë, raportohen mesatarisht 1 mijë e 300 raste të dhunës dhe pjesa më e madhe e tyre janë raste të dhunës ndaj gruas. Erza Kurti nga Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës, shpreh bindjen se numri i rasteve është më i madh se sa që raportohet.

“Prej datës 20 mars deri me 3 prill, zyra mbrojtëse e viktimave ka pasur 46 raste në përgjithësi, ku 45 prej tyre kanë qenë raste të dhunës në familje dhe janë kërkuar 21 urdhra mbrojtës, që i bie që për dy javë ka pasur gjithë këto raste të dhunës në familje, që i bie që e dimë vetëm një pjesë të rasteve. Por është shqetësues fakti që flitet se ka rritje të rasteve të dhunës në familje, sigurisht kjo nuk ndodh vetëm ndaj grave por mes anëtarëve të familjes në përgjithësi, edhe pse ne jemi të bindur që gratë dhe fëmijët janë më të ekspozuar duke u bazuar në raportet e mëparshme të dhunës në familje”, thotë zonja Kurti.

Në Kosovë vetëm gjatë vitit 2019 kanë humbur jetën pesë gra dhe një fëmijë, si pasojë e dhunës në familje. Ndonëse raportimi i rasteve të dhunës sipas veprimtarëve humanitar shënon rritje të ndërgjegjësimit për këtë çështje, rastet e raportuara nuk pasqyrojnë përmasat reale të problemit, meqë edhe më tej në masë të konsiderueshme, dhuna në familje trajtohet si problem i brendshëm që duhet të mbetet brenda mureve të shtëpisë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG