Lidhje

Të hënën mblidhet parlamenti i Kosovës- diplomatët të brengosur


Një ditë para mbledhjes së re të parlamentit të Kosovës, ambasadat e pesë vendeve kryesore perëndimore, Shteteve të Bashkuara, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, u shprehën të brengosura me situatën politike në Kosovë ndërsa u bënë thirrje deputetëve që të marrin pjesë në seancat e parlamentit.

Në një komunikatë të përbashkët të këtyre ambasadave thuhet se “Kosova është duke u përballur me shumë sfida, ato të tanishme dhe ato afatgjata duke përfshirë këtu programin e Fondit Monetar Ndërkombëtarë, situatën energjetike por edhe nevojën për zhvillim ekonomik, fuqizimin e sundimit të ligjit, ardhmërinë evropiane të Kosovës dhe marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë. Qytetarët e Kosovës meritojnë një parlament dhe qeveri për tu përballur me këto sfida”, thuhet në komunikatën e tyre.

Ata thonë se është përgjegjësi e udhëheqësve politik të Kosovës t’i krijojnë këto institucione por edhe të ndërmarrin reformat e nevojshme që të parandalojnë bllokada të tilla në të ardhmen.

“Shpresojmë që udhëheqësit, si në politikë ashtu edhe në shoqërinë civile, do të prijnë në zgjidhjen e kësaj çështjeje duke ofruar propozime konkrete. Një parim themelor dhe i rëndësishëm është se deputetët e zgjedhur në Parlamentin e Kosovës duhet të marrin pjesë në seancat e Parlamentit dhe të lejojnë fillimin e punës së tij”, thuhet në komunikatën e ambasadave të pesë vendeve më të fuqishme perëndimore.

Kanë kaluar më shumë se dy muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë dhe krijimi i institucioneve ka ngecur.

Që nga tre gushti kur u mbajt seanca e parë e parlamentit partitë politike janë barrikaduar në qëndrimet e tyre.

Koalicioni i Partisë Demokratike, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën, që është edhe fitues i zgjedhjeve ka të drejtën të propozojë kandidatin për kryetar të parlamentit, por mungesa e votave të mjaftueshme ka shtyrë këtë koalicion të mos e bëjë një gjë të tillë. Ky koalicion është duke bojkotuar seancat e parlamentit për shkak të siç është thënë thirrjes së njëanshme të mbledhjeve të tj, ndërsa kanë kërkuar një javë kohë për të dalë me propozimin për kryetarin e parlamentin, proces ky që ka bllokuar edhe formimin e qeverisë së ardhshme.

Deputetët e lëvizjes Vetëvendosjes dhe koalicionit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës Kosova e Re dhe Alternativës kanë kritikuar koalicionin fitues për siç thonë, zvarritjen e proceseve që i hapin rrugë krijimit të institucioneve.

Zhbllokimi i krizës aktuale shihet proces sfidues meqë asnjë forcë politike nuk i ka votat e mjaftueshme që ta krijojë e vetme qeverinë.

Kryesuesi i parlamentit ndërkaq ka thirrur për të hënën seancën e radhës e cila pritet të bojkotohet sërish nga koalicioni fitues, i cili ka kërkuar një zgjidhje politike para se të thirret mbledhja e radhës, një gjë e cila është kundërshtuar nga subjektet tjera politike.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG