Lidhje

Haradinaj: Nuk u japim llogari ambasadorëve por parlamentit


Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj tha të mërkurën se qeveria i jep llogari parlamentit dhe jo ambasadorëve. Ai i bëri këto komente para gazetarëve në Prishtinë, pas reagimeve të shumta të dipplomatëve lidhur me nismën për shfuqizimin e ligjit për Gjykatën e Posaçme.

Kryeministri Haradinaj tha se nisma rrjedh nga parlamenti dhe sipas tij qeveria respekton parlamentin.

“Parlamenti na ka zgjedhur neve dhe vetëm parlamentit i japim llogari, nuk i japim llogari ambasadorëve, mos harroni këtë. Do të thotë qeveria i jep llogari parlamentit. Ambasadorëve u japim llogari për marrëdhënie diplomatike dhe në marrëdhënie me shtete por ne nuk i kemi punëdhënës ata. Ne punëdhënës i kemi deputetët dhe sillemi me respekt ndaj tyre”, tha kryeministri Haradinaj.

Ai bëri të ditur se tashmë nisma për shfuqizimin e ligjit për Gjykatën e Posaçme ka mbërritur në qeveri, ku ditëmë parë është dërguar nga kryesia e parlamentit të Kosovës.

“Tani lënda është në qeveri me procedura që duhet kaluar në afat kohor prej 30 ditësh dhe do t’i kalojmë në afat të paraparë”, tha ai.

Kosova ditëve të fundit po përballet me kritika të ashpra nga faktorët ndërkombëtarë pas nismës për të shfuqizuar ligjin për Gjykatën e Posaçme. Diplomatët amerikanë dhe evropianë po paralajmërojnë udhëheqësit dhe deputetët për pasoja të rënda nëse nisma do të kalonte.

Shefja e zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, Natalya Apostolova, ka thënë se shfuqizimi i ligjit për Gjykatën e Posaçme do të ndikonte në rrugën evropiane të Kosovës.

Ideja për shfuqizimin e gjykatës pasoi nënshkrimin e një peticioni nga ana e Organizatave të veteranëve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me anë të të cilit kërkohet nga parlamenti të ndryshohet dhe plotësohet ligji për Gjykatën e Posaçme për krime lufte, të cilën ata e cilësojnë diskriminuese për Kosovën.

Kryesia e parlamentit dështoi në dy përpjekje për të caktuar seancën e parlamentit për të diskutuar nismën e nënshkruar një muaj më parë nga 43 deputetë për shfuqizimin e ligjit për Gjykatën e Posaçme e cila me emrin dhomat e specializuara, do të trajtojë pretendimet për përfshirjen e ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare në krime të luftës dhe të pasluftës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG