Lidhje

Digjet makina e pjesëtarit serb të Forcës së Sigurisë së Kosovës


Pjesëtarë e Forcës së Sigurisë së Kosovës gjatë një parakalimi
Pjesëtarë e Forcës së Sigurisë së Kosovës gjatë një parakalimi

Një makinë, pronë e një pjesëtari serb të Forcës së Sigurisë së Kosovës, është djegur në rrethana të pasqaruara në veriun e banuar me shumicë serbe.

Policia e Kosovës tha se incidenti ka ndodhur në Zupç të komunës se Zubin Potokut, një nga katër komunat me shumicë serbë ne veriun e vendit.

Policia tha se është duke hetuar rastin, që ka kaluar pa dëme në njerëz por nuk ka dhënë hollësi të tjera.

Gjatë këtij viti janë shënuar disa raste të kërcënimeve ndaj pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë nga radhët e komunitetit serb.

Në muajin shkurt në komunën e Zubin Potokut, qenë shpërndarë trakte nëpërmjet të cilave qenë kërcënuar pjesëtarët serbë të Forcës së Sigurisë, pak ditë pas parakalimit të kësaj force në Prishtinë me rastin e dhjetë vjetorit të pavarësisë së Kosovës.

Në traktet që mbanin emrin "Armata e Veriut", një grup për të cilin autoritetet thonë se nuk kanë njohuri, por kanë filluar hetimet, thuhet se pjesëtarëve serbë të Forcës së Sigurisë "do t’ua thyejmë eshtrat”.

Forca e Sigurisë së Kosovës u themelua në janar të vitit 2009 në bazë të planit të kryenegociatorit të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, në bazë të të cilit edhe është shpallur pavarësia e Kosovës. Forca e Sigurisë është forcë shumë-etnike me mbi 10 për qind të përbërjes së saj nga komunitetet jo shumicë.

Në pranverën e vitit të kaluar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, hodhi nismën për ndryshimin e mandatit të Forcës së Sigurisë nëpërmjet një ligji duke nxitur reagimin e NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara që kërkojnë krijimin e ushtrisë së Kosovës nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese.

Por këto ndryshime varen nga vota e deputetëve të pakicave kombëtare dhe tash për tash duken të pamundura për shkak të qëndrimit kundërshtues të Beogradit dhe përfaqësuesve të serbëve të Kosovës ndaj themelimit të ushtrisë së saj.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG