Lidhje

Kosovë-Itali; Arrestohen katër të dyshuar për nxitje të terrorizmit


Policia e Kosovës tha se ka arrestuar një shqiptar nën dyshimin për përfshirje në përpjekjet për rekrutimin e luftëtarëve për në Lindjen e Mesme dhe nxitje të veprimeve “terroriste” në rrjetet sociale.

Në një njoftim të policisë thuhet se ajo bastisi një shtëpi në një fshat të komunës së Hanit të Elezit, rreth 65 kilometra në jug të Prishtinës dhe me këtë rast ka “shoqëruar një person (S. I.), nën dyshimin se i njëjti ka kryer vepër penale, të sanksionuar nga ligji ‘për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të vendit’, përkatësisht nga pjesa që dënon këdo që ‘në mënyrë publike, në tubim ose me anë të shkrimeve, xhirimeve audiovizuele, duke përfshirë dhe mos u kufizuar edhe në rrjetet sociale ose në çfarëdo forme tjetër të komunikimit, thërret ose nxit të tjerët për kryerjen e veprave penale”.

Policia tha se gjatë operacionit janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale dy armë zjarri, një revole dhe një pushkë e tipit karabinë, si dhe disa pajisje elektronike dhe gjësende tjera, që mund të ndërlidhen me rastin.

Kosovë-Itali: Arrestohen 4 të dyshuar për nxitje të terrorizmit
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:45 0:00

Arrestimi ishte pjesë e një operacioni të bashkërenduar me policinë italiane e cila ka arrestuar tre shtetas të Kosovës në kuadër të operacionit të përbashkët me kodin “Van Damme”.

Mediat italiane thanë se policia ka kryer njëkohësisht një seri kontrollesh në qytetet Brescia, Vicenza, Perugia ku janë arrestuar tre persona nën dyshimet për “mbrojtje të terrorizmit” dhe “nxitje të urrejtjes racore”.

Ata kishin kërcënuar papën, kishin kremtuar sulmet e fundit në Paris dhe kishin kërcënuar ish ambasadorin amerikan në Kosovë”, u tha mediave ne Itali Carmine Esposito, shef i policisë në Brescia.

Në një mesazh të tyre thuhej se “nuk do të ketë një papë tjetër pas këtij. Ky është i fundit”.

Policia italiane citohet të ketë thënë se operacioni që pasoi një hetim të gjatë, që ka nxjerrë në pah “tregues të rrezikshëm të fanatizmit fetar në ngarkim të grupit kriminal, anëtarët e të cilit publikonin në internet foto me armë dhe sjellje tipike të luftëtarëve të Shtetit Islamik”. Por, sipas policisë, “nuk duket se kanë qenë të përfshirë në ndonjë komplot specifik”.

Në Kosovë policia tha se operacioni “është një tregues se bashkëpunimi ndërkombëtar është i domosdoshëm në luftën kundër terrorizmit si dhe çelës i suksesit në hetime më efektive, andaj Polica e Kosovës është e hapur për bashkëpunim edhe në të ardhmen me cilindo shtet në luftën kundër terrorizmit dhe të gjitha formave tjera të krimit”.

Policia e Kosovës u bëri thirrje qytetarëve “që të mos bien pre e thirrjeve, propagandës dhe mashtrimeve të tilla për përfshirje në raste të terrorizmit, njëkohësisht për raste të kësaj natyre ta informojnë Policinë e Kosovës”.

Kosova është përballur që në vitin 2012 me rastet e para të shkuarjes së qytetarëve të saj në Siri. Fillimisht ata u ishin bashkuar forcave opozitare që luftonin për rrëzimin e regjimit të presidentit sirian, Bashar Al Asaad. Por, më vonë, shumica e tyre u bashkuan me organizatat si Al Nusra apo edhe grupi i quajtur Shteti Islamik i Irakut dhe Sirisë. Që atëherë rreth 300 qytetarë të Kosovës i janë bashkuar konfliktit atje ndërsa aktualisht sipas vlerësimeve të organeve të sigurisë numri sillet nga 60 deri në 100 veta. Mbi 40 prej tyre janë të deklaruar të vdekur.

Autoritetet në bashkëpunim me bashkësitë fetare, agjencitë e sigurisë e organizatat e shoqërisë civile, hartuan një strategji kombëtare për “Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit”, në përpjekje për të gjetur rrugët për përballje më këtë dukuri.

Që nga viti 2013 e deri tash autoritetet kanë hetuar mbi 180 persona të përfshirë në vepra që lidhen me terrorizmin. Rreth 90 persona janë arrestuar dhe janë ngritur mbi 40 aktakuza. Në muajin mars, parlamenti i Kosovës miratoi ligjin që parasheh dënime deri në 15 vjet heqje lirie për të gjitha ata që marrin pjesë, nxisin apo ndihmojnë përfshirjen në luftëra të huaja. Por, veprimtarët thonë se krahas veprimeve ligjore, lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm duhet të jetë gjithëpërfshirëse, duke vënë theksin tek edukimi dhe informimi i drejtë i qytetarëve të Kosovës.

XS
SM
MD
LG