Lidhje

Kosovë, gjobiten dhe dëbohen 11 serbë dhe rusë të arrestuar në kufi me Serbinë


Një Gjykatë në Prishtinë vendosi të gjobis më nga 250 euro, pesë serbë dhe gjashtë rusë, për kalim të paautorizuar të kufirit shtetëror.

Të gjithë ata ishin ndaluar të martën nga policia e Kosovës, në afërsi të fshatit Metergofc të komunës së Podujevës, rreth 45 kilometra në veri të Prishtinës, "nën dyshimin e bazuar për kalim të paautorizuar të kufirit shtetëror”.

Të mërkurën në mbrëmje Gjykata Themelore në Prishtinë u shqiptoi dënimin me gjobë prej 250 eurosh, për secilin veç e veç.

Pas pagesës së gjobës, ata do të dëbohen nga Kosova.

Të martën autoritetet thanë se e kishin njoftuar zyrën ndërlidhëse të Rusisë në Prishtinë.

Ndërkohë zëdhënësi i ambasadës ruse në Beograd, Yuri Pichugin, citohet t'i ketë thënë agjencisë ruse të lajmeve TASS të mërkurën se një përfaqësues i zyrës ruse në Prishtinë "është duke e trajtuar këtë çështje, që prej se qytetarët rusë janë ndaluar. Ai menjëherë është nisur në vendin e ngjarjes. Gjithsej, gjashtë rusë janë ndaluar, dy prej tyre janë banorë lokalë, anëtarë të familjes së një qytetari serb”, ka thënë ai.

Kosova shpalli pavarësinë e saj në shkurt të vitit 2008 dhe ajo është njohur nga mbi 110 vende të botës, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe vendet kryesore të Bashkimit Evropian, ndërsa vazhdon të kundërshtohet nga Serbia dhe aleatja e saj Rusia.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG