Lidhje

Vetëvendosje nuk heq dorë nga posti i kryetarit të parlamentit të Kosovës


Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, refuzoi ofertën e Lidhjes Demokratike të Kosovës që kjo parti të ketë postin e kryetarit të parlamentit deri në zgjedhjen e presidentit, pastaj kryetari i parlamenti t’i kalojë lëvizjes Vetëvendosje. Oferta e Lidhja Demokratike ishte përgjigje ndaj ofertës së lëvizjes Vetëvendosje për rritjen e numrit të ministrive për të siguruar një marrëveshje për formimin e qeverisë.

Në një letër dërguar të enjten kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, kryetari i lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, shprehu keqardhjen me këmbënguljen e Lidhjes Demokratike “që ne të bëjmë marrëveshje për ta larguar kryetarin e zgjedhur të Kuvendit të Republikës, z. Glauk Konjufca”.

Në letër mes tjerash thuhet se “në mbledhjen konstituive të Kuvendit të mbajtur më 26 dhjetor 2019, z. Glauk Konjufca ka marrë 75 vota në Kuvendin e Republikës, përfshirë këtu votat e 27 deputetëve të LDK-së. Votimi në Kuvend ishte i lirë, demokratik, i rregullt dhe transparent. Për çfarë shtendërtimi demokratik mund të flasim në legjislaturën e shtatë nëse, siç propozoni ju, dy politikanë si puna e neve dyve bëjnë ujdi ta largojnë posteriori kreun e Kuvendit dhe ta shfuqizojnë zgjedhjen e tij? Kosova e pavarur është republikë demokratike në Evropën e shekullit 21 dhe jo monarki absolute nga Evropa e shekujve të kaluar. Institucionet e Kosovës nuk janë mjete partiake a personale por vlera shtetërore e demokratike. Ju lutem të hiqni dorë nga kjo mënyrë jodemokratike e veprimit politik. Ne të dy nuk jemi diktatorë, ne nuk bën të sillemi apo veprojmë si të tillë”, shkroi ai.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, tha gjatë të enjtes se anëtarët e kësaj partie janë duke e shqyrtuar letrën e zotit Kurti, megjithëse atë e konsideron si jozyrtare.

“Letrën do ta shohim, nuk e konsideroj që është letër zyrtare dhe përgjigje zyrtare. Ajo që mund të them është që ne jemi të interesuar ta përmbyllim këtë proces, të gjejmë rrugë për marrëveshje, të themelojmë institucionet dhe mos të vazhdohet kjo agoni e institucioneve. Për këtë ne do të mundohemi të punojmë në mënyrë maksimale. Dhe për këtë kërkoj që edhe Lëvizja Vetëvendosje të japë kontributin e saj”, tha Mustafa.

Të dy udhëheqësit e partive politike lanë të hapur mundësinë e vazhdimit të negociatave të cilat nuk kanë siguruar një marrëveshje për bashkëqeverisje edhe më shumë se tre muaj nga mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme më 6 tetor.

Kosova ka përvojë të proceseve të gjata të negocimit të koalicioneve qeverisëse. Pas zgjedhjeve të vitit 2014 ishin dashur gjashtë muaj për të gjetur një zgjidhje.

I gjithë procesi i negociatave për formimin e qeverisë, është përshkuar nga ide nga më të ndryshmet lidhur me marrëveshjen, ndërsa i vetmi qëndrim i pandryshueshëm deri tash është këmbëngulja e të dyja partive se nuk ka alternativë tjetër përveç koalicionit ndërmjet tyre, madje duke mos hedhur poshtë mundësinë që vendi të shkojë në zgjedhje të reja.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG