Lidhje

Presidenti i Kosovës hapi këshillimet për tejkalimin e situatës politike


Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha të mërkurën se e vetmja zgjidhje pas mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë së tij është që vendi të shkojë në zgjedhje të reja pas pandemisë.

Presidenti i Kosovës nis këshillimet për tejkalimin e situatës politike
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:53 0:00

Ai i bëri këto komente pas takimit me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili filloi sot këshillimet më partitë politike për tejkalimin e situatës së krijuar pas rrëzimit të qeverisë më 25 mars.

Gjatë javës presidenti Thaçi tha se Kosova “ka nevojë për një qeveri që do të sjellë stabilitet, unitet sa më të madh politik dhe qytetar, që do të jetë gjithëpërfshirëse dhe e orientimit të qartë euroatlantik”.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, njëherësh kryetar u lëvizjes Vetëvendosje tha se “pyetjeve dhe përpjekjeve te presidentit që të flasim për qeveri të re e kandidatura të reja, u jemi përgjigjur me qëndrimin tonë, për të cilin jemi të bindur se jo vetëm që është i drejtë por edhe i vetmi në bazë të Kushtetutës të Republikës së Kosovës dhe kjo është që nuk mund të kapërcejmë diku tjetër duke shpërfillur e duke mohuar nenin 82, pika 2 të Kushtetues së Republikës së Kosovës që thotë se pas një mocioni mosbesimi, ajo që ngelet është të shkohet në zgjedhje të reja”.

Ai u shpreh i bindur se Kushtetua Kosovës nuk krijon mundësi në kontekstin aktual politik që të ketë qeveri të re e parlament të ri pa zgjedhje të reja.

“Presidenti u zotua se do ta respektoj ligjin, Kushtetutën dhe praktikat e mëhershme dhe të gjithë ne e dimë se cilat janë ato praktika. Edhe në vitin 2010 edhe në vitin 2017 me mocion mosbesimi të suksesshëm ka rënë qeveria dhe më pas është shpërndarë kuvendi dhe janë shpallur zgjedhjet. Prandaj ne e theksuam këtë qëndrimi tonin që presidenti i Republikës së Kosovës realisht nuk do të duhej të merrej me emra njerëzish e partish, por me data për zgjedhje të reja në kalendarin e këtij viti”, tha ai.

Ndërkaq, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, tha se nuk është koha për zgjedhje për shkak ta pandemisë dhe se partia e tij kërkon “që të bëhet një qeveri e re duke ndjekur të gjitha procedurat kushtetuese edhe procedurën që e ka paraparë edhe aktgjykimi i gjykatës Kushtetuese i vitit 2014. Kjo qeveri do të kishte për detyrë që me kapacitete të plota të angazhohet në luftë kundër virusit korona i cili po zgjerohet sikur në vendet tjera. Pastaj të punojë në zhvillimin ekonomik sepse do të ballafaqohemi me një situatë shumë të rëndë ekonomike, të papunësisë pasi që po paralajmërohet se do të ballafaqohen edhe vendet e tjera, por ne jemi një vend i pazhvilluar dhe duhet të kemi kujdes të posaçëm. Do të ballafaqohemi edhe me nevojën e dialogut me Serbinë, për çfarë duhet të jemi të përgatitur dhe duhet të kemi një shumicë e cila këtë dialog do ta përkrahte pastaj përmes kuvendit të Republikës së Kosovës”, tha ai.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, tha se “vullneti i sovranit është më legjitimi, por në rrethana kur kemi një situatë te pandemisë është ndoshta hipokrizi te flitet për zgjedhje të jashtëzakonshme kur te gjithë mund të dinë që nuk mund të jenë për 45 dite zgjedhjet e jashtëzakonshme, nuk mund t’i rrezikojmë qytetarët. Partia Demokratike e ka pozicionin shumë të qartë politik në ketë situatë; ne do të jemi opozitë dhe të respektojmë Kushtetutën e Republikës se Kosovës”, tha ai.

Kushtetuta e Kosovës parasheh që “nëse Kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, Qeveria bie, dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar Qeverinë”.

Por, po ashtu sipas Kushtetutës, “Kuvendi mund të shpërndahet nga Presidenti i Republikës së Kosovës, pas votimit të suksesshëm të mosbesimit të Qeverisë”.

Presidenti Thaçi, i cili javën e kaluar tha se do të përqendrohet që mos të lejojë që vendi të shkojë në zgjedhje dhe të shpërndahet parlamenti, po i referohet shpjegimit të parë të Kushtetutës kur “posti i kryeministrit mbetet i lire”.

“Baza ime për më tutje do të jetë respektimi i plotë i legjitimitetit qytetarë të 6 tetorit duke marr parasysh në tërësi edhe mocionin e votëbesimit apo shkarkimin e qeverisë më 25 mars. Të gjitha veprimet e mëtutjeshme që do të ndërmarr si president i vendit pas konsultimeve që do t’i zhvilloj edhe nesër do të jenë transparente, do të jenë plotësisht në përputhshmëri me kushtetutën e Kosovës, ligjet por edhe praktikat e mëhershme dhe praktikat e mëhershme kanë qenë ato të deklaruara sipas vullnetit politik të partive politike”, tha ai të mërkurën.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG