Lidhje

Kosovë: PDK dërgon në Kushtetuese vendimin për kufizimin e lëvizjeve


Kosovo
Kosovo

Partia Demokratike e Kosovës i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesën për interpretimin e përputhshmërisë së vendimit të ministrisë së Shëndetësisë për kufizimin e lëvizjeve si masë për të penguar zgjerimin e koronavirusit.

Në fillim të javës, ministria e Shëndetësisë shpalosi masa të shtrënguara që kanë filluar të zbatohen nga e mërkura me 15 prill dhe do të jenë në fuqi deri më 4 maj.

Me këto masa lejohen qytetarët e moshës mbi 16 vjeçare dhe nën 65 vjeç, të dalin nga shtëpitë një herë në ditë për një orë e gjysmë për t’u furnizuar me mallra të domosdoshme.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Besa Ismaili, pas dorëzimit të lëndës në Gjykatën Kushtetuese shpjegoi arsyet përse kjo parti i cilëson si shkelje të Kushtetutës masat e ministrisë së Shëndetësisë.

“Ne pretendojmë se ka një shkelje të dy neneve kryesore, atë të lirisë së lëvizjes neni 35 të Kushtetutës së Kosovës dhe nenin 55 i cili përkufizon qartësisht se këto vendime që kufizojnë liritë e lëvizjes dhe të drejtave të njeriut nuk i takojnë qeverisë. Përpara kësaj ne kemi pasur nja aktvendim të qartë të Gjykatës Kushtetuese dhe kryeministri në dorëheqje Albin Kurti ka vazhduar të mos e respektojë atë vendim por që këto shkelje pastaj t’ia delegojë ministrit të shëndetësisë dhe ai më pas ka vazhduar me zbatimin e të tjera vendimeve që gjithashtu ne pretendojmë se janë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, tha ajo.

Zonja Ismaili tha se është me rëndësi që përveç luftës kundër pandemisë, të ruhen edhe parimet e demokracisë në vend.

“Për ne aktualisht është e rëndësishme dhe për gjithë qytetarët që duke luftuar bashkërisht pandeminë që bashkërisht të luftojmë dhe të mbrojmë parimet e shtetit tonë, parimet e demokracisë dhe respektimin e plotë të Kushtetutës së Kosovës”, tha ajo.

Kjo është hera e dytë brenda një muaji që vendimet e qeverisë së Kosovës për parandalimin e përhapjes së koronavirusit dërgohen në gjykatën Kushtetuese.

Më 24 mars presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ishte drejtuar Gjykatës Kushtetuese për interpretimin e përputhshmërisë së vendimit të qeverisë së Kosovës të datës 23 mars që të “ndalohet qarkullimi i qytetarëve dhe automjeteve private nga 24 mars 2020 gjatë orës 10:00 – 16:00 dhe prej orës 20:00 – 06:00, përveç për nevoja mjekësore, prodhim, furnizim dhe shitje të mallrave esenciale (ushqim dhe barna për njerëz dhe kafshë/shpezë), dhe për shërbime dhe aktivitete që ndërlidhen me menaxhim të pandemisë”.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi më 31 mars të shfuqizojë vendimin e qeverisë së Kosovës dhe vendim i saj hyri në fuqi më 13 prill.

Po atë ditë ministria e Shëndetësisë shpalli masat e reja mes reagimesh të partive politike që i cilësuan si veprime kundër kushtetuese.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG