Lidhje

Kosovë, formohet ekipi përgatitor për Komisionin e së vërtetës dhe pajtimit


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, themeloi të mërkurën ekipin përgatitor për Komisionin për të Vërtetën dhe Pajtimin, me të cilën synohet që të krijohet një mekanizëm mbështetës për dialogun e brendshëm mes komuniteteve për të ndëshkuar krimet e kryera gjatë luftës së fundit dhe arritjen e pajtimit në Kosovë.

Udhëheqës të institucioneve vendase e ndërkombëtare thanë se pranimi i krimeve dhe të së vërtetës mbi to është thelbësor për drejtësinë dhe të ardhmen e bashkëjetesës në Kosovë.

Presidenti Thaçi tha se ky komision do të jetë i rëndësishëm për shoqërinë dhe të ardhmen e vendit.

“E kuptoj qartë se është një iniciativë që ka zgjuar reagime të shumta, i kemi pritur këto por, nuk e kemi pritur që kjo iniciativë do të marrë aq shumë përkrahje nga pjesa dërrmuese e shoqërisë dhe institucioneve të Kosovës. Kjo na ka inkurajuar, por edhe na ka obliguar që të lëvizim me hapa të kujdesshëm dhe të sigurt”, tha presidenti Thaçi duke nënvizuar se edhe gati pas dy dekadash që nga përfundimi i luftës ende kanë mbetur plagë të hapura.

“Këto shpesh bëhen pengesë për të ardhmen e vendit tonë, prandaj kam iniciuar themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin, që të mbyllim kapitullin e luftës dhe të hapin atë të paqes për gjeneratat që do të vijnë. Në thelb të punës së Komisionit do të jenë viktimat e luftës, njohja e vuajtjes së tyre”, tha ai.

Ambasadori britanik në Kosovë, Ruairi O’Connell tha se formimi i këtij ekipi do të mundësoje që të rinjtë ta kuptojnë se çka ka ndodhur dhe të pajtohen që të mos përsëritet lufta.

“E vlerësojë këtë iniciativë, shumë e mirëseardhur dhe e nevojshme për Kosovën. Është e qartë që qytetarët e Kosovës janë ata që drejtojnë procesin, ndërsa ne ndërkombëtarët, miqtë e juaj e mbështesim, por është proces për Kosovën dhe shumë mirë që është marr një hap i tillë. Është shumë e rëndësishme, sidomos për rininë që ta kuptojnë të vërtetën dhe të pajtohen që të mos përsëriten konfliktet e luftërat”, tha ambasadori britanik.

Ndërsa, udhëheqësi i Këshillit për Mbrojtjen e Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Behxhet Shala, tha se kjo është një mundësi e mirë për të çuar përpara proceset.

“Pajtimi nuk është pikënisja e procesit, por është fundi i procesit kur të arrijmë tek rezultatet. Jam i vendosur që ky pajtim të jetë vullnet i të gjitha palëve të përfshira në këtë dialog”, tha ai.

Ekipi përgatitor për Komisionin për të Vërtetën dhe Pajtimin do të përbëhet nga nëntë anëtarë ndërsa pritet të përkrahet edhe nga ekspertë ndërkombëtarë. Ky ekip pritet që brenda një viti të përgatisë infrastrukturën teknike e ligjore për themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin.

Përfaqësues të organizatave për të drejtat e njeriut thonë se mungesa e vullnetit politik ka penguar vënien e drejtësisë në lidhje me krimet e luftës dhe rrjedhimisht edhe procesin e pajtimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ata thonë se numri i të dënuarve për krimet e kryera mbetet i ultë, edhe 17 vjet pas përfundimit të luftës që shkaktoi mbi 10 mijë të vrarë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG