Lidhje

Thaçi: Koha e misioneve të huaja ndërkombëtare në Kosovë ka kaluar


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha të martën se koha e misioneve ndërkombëtare ka kaluar dhe vendi duhet të marrë në duar punët e tij, duke ju referuar kërkesës për përfundimin e Misionit të Kombeve të Bashkuara si dhe të atij t Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, mandati i të cilit skadon në qershor të vitit të ardhshëm.

Gjatë një fjalimi para trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ai tha se "një numër i pa justifikuar i misioneve ndërkombëtare ende funksionon në Kosovë, duke krijuar përshtypjen se jemi në një stad shumë të hershëm të tranzicionit. Koha e misioneve të huaja ndërkombëtare në Kosovë ka kaluar", tha ai, duke nënvizuar se me qindra milionë euro të taksapaguesve evropianë janë shpenzuar dhe vazhdojnë të shpenzohen për mbarëvajtjen e misionit EULEX.

"Si është e mundur që me gjithë këtë përfshirje, të pashembullt, përgjegjësia të jetë vetëm në anën kosovare. E theksoj qartë se qëllimi ynë shtetëror është anëtarësimi në BE dhe jo që në Kosovë të ketë misione të përjetshme të saj", theksoi ai, duke theksuar se "Në verën e vitit të ardhshëm, ne do të shohim përfundimin e plotë të mandatit aktual të misionit EULEX. Nëse deri tani kemi folur për tranzicion, për tkurrje, ne tani duhet të flasim menjëherë për fazën përmbyllëse".

EULEX-i u vendos në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë së saj nga Serbia në shkurt të vitit 2008.

Presidenti Thaçi kritikoi bashkësinë ndërkombëtare për siç tha, imponim të Gjykatës së Posaçme që do të trajtojë pretendimet për përfshirjen e pjesëtarëve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krime lufte.

"Unë mendoj se Gjykata Speciale nuk do të mund të arrijë të bëjë atë që e proklamon, të forcojë ndjenjën e drejtësisë për viktimat e luftës. Sikur të kishte drejtësi të tillë çfarë trumbetohet nga faktori ndërkombëtar, 100 gjykata speciale të këtilla do të duhej të bëheshin vetëm për krimet që Serbia e (Slobodan) Millosheviqit i ka bërë në shtetet e Ballkanit dhe këtu në Kosovë", tha ai duke nënvizuar se "paradoksi me të cilin ne ballafaqohemi është dëshpërues. E njëjta Serbi sot e ka derën e hapur për në BE, ndërsa Kosova mbahet e izoluar".

Ai tha se BE-ja duhet t’i japë fund izolimit të qytetarëve të Kosovës të cilët e dinë se perspektiva evropiane është shpresë, dëshirë, synim, por jo edhe realitet i mirëfilltë.

"Kosova, si vendi më proevropian në Ballkan, është shteti më i izoluar në Evropë. E, në anën tjetër “Evropianët e rinj” sot janë evropianë të izoluar. Është kjo ndjenjë e pafuqisë, e dëshpërimit, e mërzisë që na bashkon të gjithë neve në Kosovë: qofshim politikanë, ekonomistë, biznesmenë, artistë ose edhe qytetarë të zakonshëm".

Presidenti Thaçi tha se veprimi dhe vendimi më i përshtatshëm i BE-së do të ishte anëtarësimi shteteve të Ballkanit Perëndimor në bllok.

Ai tha se "izolimi, të lënit anash, të qenit i harruar, çdo ditë po shfrytëzohet prej ekstremizmave politikë dhe fetarë në Kosovë. Ky izolim po shfrytëzohet me qëllim të dobësimit të lidhjeve të kamotshme qytetëruese dhe kulturore të Kosovës me Evropën".

Ai kritikoi Bashkimin Evropian për qasjen ndaj liberalizmit të vizave për Kosovën një çështje që është kushtëzuar edhe nga ratifikimi i marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi. Por, po ashtu ai kritikoi kundërshtarët e kësaj marrëveshjeje në Kosovë, ndërsa ritheksoi përkushtimin për vazhdimin e bisedimeve me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve. Ai tha se këto bisedime duhet të përmbyllen me një "marrëveshje ndërshtetërore, traktat ndërkombëtar që siguron një paqe afatgjate, njohje të ndërsjella dhe që mundëson integrimin në strukturat euroatlantike".

Ai vlerësoi lart rolin e trupave të KFOR-it, duke theksuar se në bashkërendim me NATO-n dhe partnerët tjerë perëndimorë Kosova duhet të themelojë ushtrinë shumetnike.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG