Lidhje

Kosovë: Një i akuzuar për pjesëmarrje në grupe terroriste


Prokuroria e Posaçme e Kosovës ngriti aktakuzë, kundër një qytetari nga Kosova për përfshirje në grupin militant Shteti Islamik.

Në njoftimin e prokurorisë thuhet se personi që është identifikuar vetëm me nistoret, M.D. akuzohet për veprën penale “organizimi dhe pjesëmarrja në grupe terroriste”.

Sipas aktakuzës, M.D.,"me qëllim që t'u bashkëngjitet grupeve terroriste në Siri, nga muaji mars 2013, me dëshirë, me vetëdije dhe me paramendim ka udhëtuar përmes rrugëve të ndryshme për në qytetin e Stambollit në Turqi. Pas një kohe së bashku me bashkëshorten A.D., dhe djalin e tij, janë vendosur në Kilis në juglindje të Turqisë, afër kufirit me Sirinë, prej nga ilegalisht arrin në qytetin Gaziantep, pastaj i është bashkëngjitur organizatës terroriste ISIS, organizatë kjo, që vepron në Siri dhe Irak".

Sipas prokurorisë, i pandehuri M.D., ka qëndruar në Siri deri në gusht të vitit 2017, deri sa është tërhequr dhe u është dorëzuar autoriteteve të Turqisë prej të cilave ka kërkuar që ta kthejnë në Kosovë, gjë që edhe i është mundësuar.

Autoritetet në Kosovë thonë se nuk janë regjistruar së fundmi raste të reja të shkuarjes së qytetarëve të saj në Siri dhe Irak, ku edhe më tej besohet se ndodhen rreth 200 veta, përfshirë gra dhe fëmijë.

Afërsisht 80 persona kanë humbur jetën në ato luftëra dhe mediet lokale thanë të enjten se një tjetër shqiptar nga Kosova është vrarë në Lindjen e Mesme.

Në pranverën e vitit 2015 parlamenti i Kosovës miratoi një ligj që parasheh dënime deri në 15 vjet heqje lirie për të gjithë ata që marrin pjesë, nxisin apo mbështesin përfshirjen në konfliktet jashtë Kosovës.

Rreth 200 veta janë arrestuar ose hetuar dhe mbi 50 veta janë dënuar deri tash për përfshirje në luftërat në Lindjen e Mesme nxitje dhe rekrutim të luftëtarëve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG