Lidhje

Qeveria e Kosovës paralajmëron tërheqjen e projektligjit për financimin e partive politike


Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, paralajmëroi të premten tërheqjen e projektligjit për financimin e partive politike, që pritej të debatohej në parlamentin e Kosovës.

Paralajmërimi pasoi protestat e organizatave të shoqërisë civile dhe reagimin e diplomatëve evropianë në Prishtinë në mbështetje të kundërshtimeve ndaj kuadrit ligjor për kontrollimin e financimit të partive politike.

Kryeministri Ramush Haradinaj, shkroi të premten në rrjetet sociale se “duke e ditur rëndësinë që ka ky Projektligj, për zhvillimin e demokracisë në vend, nevojës së transparencës në funksion të politikbërjes dhe përfshirjes së të gjitha palëve në krijimin e tij, tërheqja e projektligjit dhe ridërgimi i tij, me bazë të mirë ligjore dhe demokratike, është veprim i duhur!”, shkroi ai.

Organizatat e shoqërisë civile protestuan sërish të premten para parlamentit të Kosovës, duke paralajmëruar edhe mundësinë e dërgimit të projektligjit në Gjykatën Kushtetuese, nëse miratohet.

Valmir Ismaili nga Demokracia Plus tha se projektligji është në kundërshtim të plotë me synimet e Kosovës për një demokraci të plotë.

Në rast se parlamenti i Kosovës do të miratonte një projektligj të tillë, atëherë na mbesin disa alternative tjera, një është përmes Avokatit të Popullit ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese por paraprakisht do të kërkonim edhe nga presidenti i vendit i cili ka një mandat të tillë ose mund të mos dekretoj një ligj të parlamentit të Kosovës nëse ai e sheh që është në kundërshtim me parimet që ne besojmë që ky projektligj për financimin e subjekteve politike aktualisht është në kundërshtim edhe me kushtetutën e Kosovës”, tha zoti Ismaili.

Organizatat e shoqërisë civile kishin ngritur shqetësimin për projektligjin për financimin e partive politike pasi që sipas tyre është në kundërshtim me frymën kushtetuese dhe reformën zgjedhore të nisur nga parlamenti i Kosovës. Sipas tyre, “projektligji degradon parimet kryesore të jetës politike duke rrezikuar integritetin e tërë procesit të reformës zgjedhore, dështon në adresimin e përparësive të agjendës për Reforma Evropiane për transparencë, llogaridhënie, zbatim dhe sanksionim efikas në financimin e partive politike, duke u mundësuar subjekteve politike të fshehin identitetin e kontribuuesve financiarë të tyre, duke ngritur shumëfish lartësitë e këtyre kontributeve, duke ua zgjatur afatet për publikimin e raporteve financiare të fushatës dhe duke i zvogëluar gjobat, në rastet kur partitë e shkelin ligjin”.

Shoqëria civile kishte pezulluar pjesëmarrjen në punën e komisionit parlamentar Ad-hoc për përmirësimin dhe forcimin e procesit zgjedhor

Arbresha Loxha nga Grupi për studime juridike dhe politike tha se shoqëria civile nuk do të kontribuojë në komisione parlamentare, derisa të sigurohet tërheqja e projektligjit për financimin e partive politike.

Pra, ne do të jemi të gatshëm që të kthehemi në këto dy mekanizma, si në grupin punues dhe në komisionin ad-hoc, në qoftë se ne sigurohemi që do të jemi partnerë të trajtuar në mënyrën më të denjë dhe do të merren parasysh kontributet dhe rekomandimet tona dhe jo të jemi pjesë e këtyre sa për të legjitimuar procesin dhe të përfundojmë me një ligj i cili është në kundërshtim me standardet më të mira”, tha zonja Loxha.

Projektligji ishte kundërshtuar edhe nga përfaqësuesit e partive opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje, por ai mbështetet nga partitë në pushtet.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG