Lidhje

Presidenti serb bëri thirrje për kompromis me Kosovën


Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha të hënën se mungesa e një kompromisi rreth Kosovës do të ketë pasoja të rënda për të dyja palët, ndërsa serbët tha ai, duhet të zgjedhin “mes gënjeshtrave të ëmbla dhe të vërtetës së hidhur”.

Ai mbajti një fjalim prej më shumë se dy orësh në parlamentin e Serbisë, pa shpalosur hollësi se cili është plani i tij për bisedimet me Kosovën, e cila sivjet shënoi 11 vjetorin e pavarësisë të cilën Beogradi vazhdon ta kundërshtojë.

Duke paraqitur një raport lidhur me bisedimet e deritashme me Kosovën, presidenti serb, tha se ajo është humbur me fajin e të tjerëve.

“Vetëm për tetë vjet të qeverisjes së Sllobodan Millosheviçit ka ndodhur konflikti në Kosovë dhe humbja e sovranitetit mbi Kosovën”, tha ai, duke nënvizuar se gjatë tetë vjetëve të qeverisjes së Partisë Demokratike të Serbisë, e cila tani është në opozitë, është shpallur pavarësia e Kosovës.

Ai tha se duke biseduar është fituar kohë për Serbinë. "Gjatë periudhës së bisedimeve, kemi arritur të ruajmë paqen dhe qëndrueshmërinë. Gjatë bisedimeve, nuk ka pasur viktima të konflikteve ndëretnike, as vrasje, përveç vrasjes së Oliver Ivanoviçit”.

Ai tha se marrëveshja dhe kompromisi nuk janë humbje, por fitore, ndërsa nënvizoi se është koha që të zgjidhet midis "gënjeshtrave të ëmbla dhe të vërtetës së hidhur".

“Puna ime si president shteti është që njerëzve t’u them të vërtetën, sado e pakëndshme të jetë. Por, mos mendoni se nuk do të luftoj për popullin tonë në Kosovë”, tha ai,

"Ka mundësi që nuk do të arrijmë kompromis në pesë apo dhjetë vjetët e ardhshme dhe kjo do të kishte pasoja katastrofale si për shqiptarët, ashtu edhe për serbët’, tha presidenti serb.

Bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, janë pezulluar për shkak të refuzimit të Beogradit që të vazhdojë bisedimet derisa nuk tërhiqen tarifat prej 100 për qind ndaj mallrave serbe që janë vendosur në nëntor të vitit të kaluar nga qeveria e Kosovës.

Seanca e parlamentit serb u bojkotua nga një pjesë e opozitës serbe e cila vlerësoi se seanca për Kosovën është vetëm një tjetër "mashtrim" i autoriteteve të Serbisë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG