Lidhje

Kosovë: Skender Hyseni – bashkërendues shtetëror për bisedimet me Serbinë


Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, emëroi të martën, Skender Hysenin, bashkërendues shtetëror për bisedimet me Serbinë. Në një njoftim të kryeministrit thuhet se vendimi është mbështetur në platformën e qeverisë për dialogun me Serbinë, me qëllim të organizimit dhe të bashkërendimit institucional dhe ndërkombëtar të këtij procesi.

Kryeministri Hoti një ditë më parë tha se bashkërenduesi shtetëror do të punojë edhe në “hartimin e projekt marrëveshjes përfundimtare për njohje të ndërsjellë”.

Bashkërenduesi pritet të drejtojë Këshillin e Ekspertëve në zyrën e kryeministrit dhe do të përfaqësojë Kosovën në bisedimet në nivel ekspertësh që mbahen të enjten në Bruksel.

Aty pritet të diskutohet për personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë, të zhvendosurit dhe për bashkëpunimin ekonomik, tema që u shtruan në tryezën e bisedimeve të së enjtes së kaluar në Bruksel në përballjen e parë të kryeministrit Hoti me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç në kuadër të bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Kryeministri Hoti u gjet nën kritika në Kosovë ku thuhet se me Serbinë duhet të diskutohet vetëm për njohje dhe duhet shmangur çdo mundësi që procesi të stërzgjatet me diskutime teknike.

“Dialogu është vetëm politik për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve”, tha kryeministri Hoti.

Beogradi ndërkaq hedh poshtë çdo mundësi për një marrëveshje që do të çonte në njohjen e Kosovës.

Vendimi për emërimin e zoti Hyseni pasoi një takim të kryeministrit Hoti me përfaqësuesit e partive politike që u bojkotua nga opozita. Ai informoi pjesëmarrësit lidhur me takimin në Bruksel dhe video konferencat që i paraparin takimit më presidentin serb.

Për të premten është paralajmëruar që kryeministri Hoti të raportojë në Parlamentin e Kosovës rreth takimit.

Emërimi i zotit Hyseni u mirëprit nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili shkroi në llogarinë e tij në facebook se “emërimi i z. Hyseni është produkt i koordinimit ndërshtetëror. Kam besim të plotë se përvoja tri dekadëshe e z. Hyseni në procesin e lirisë dhe shtetformimit do të jetë jetike për fazën finale të dialogut për njohjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Z. Hyseni ka mandat për të negociuar për marrëveshjen përfundimtare politike ndërmjet Kosovës e Serbisë dhe jo për t’u bërë pjesë e proceseve shterpe teknike. Jam i bindur se me angazhimin dhe përpjekjet e tij, z. Hyseni do të arrijë ta ndërtojë konsensusin e nevojshëm politik ndërmjet pozitës dhe opozitës në të mirë të Republikës së Kosovës”, shkroi presidenti Thaçi.

Zoti Hyseni është anëtar i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe një periudhë ka shërbyer si ministër i Jashtëm, ministër i Brendshëm si dhe ministër i kulturës. Ai ishte pjesë e delegacioneve të Kosovës në bisedimet për statusin politik dhe zëdhënës i ekipit negociator të Kosovës para shpalljes së pavarësisë së saj.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG