Lidhje

Bisedimet Kosovë - Serbi në nivel presidentësh e kryeministrash


Nga takimet e mëhershme Kosovë - Serbi
Nga takimet e mëhershme Kosovë - Serbi

Kosova dhe Serbia do të përfaqësohen në nivel presidentësh e kryeministrash në takimin e radhës në kuadër të bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian

Kosova dhe Serbia pritet të kenë përfaqësimin më të lartë në takimin e së martës në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Kryeministri serb Aleksandër Vuçiç, tha të dielën se bashkë me të në takim do të jetë edhe presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliç.

"Mendoj që shqiptarët do t’i sjellin përfaqësuesit më të lartë. Shpresoj që do të ketë arsye të mjaftueshme dhe qasje racionale, në mënyrë që më kurrë të mos përsëritet sjellja e mjeteve luftarake dhe e armëve, në mjediset e banuara me serbë dhe që me këtë të tregohen muskujt ", tha kryeministri serb.

Ndërsa në Prishtinë, zyrtarë të qeverisë thanë se po zhvillohen këshillime të ngushta ndërmjet kryeministrit Isa Mustafa dhe presidentit Hashim Thaçi për takimin e së martës, në të cilin do të marrin pjesë të dy.

Tensionet e ditëve të fundit, nxitën shefen e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, të thërras për të martën me 24 janar një takim të përfaqësuesve të lartë të Kosovës dhe Serbisë.

Ky do të jetë takimi i parë pas gati një viti në nivelin e lartë në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet palëve.

Më 14 janar autoritetet e Prishtinës ndaluan hyrjen në Kosovë të një treni që ishte nisur nga Beogradi në drejtim të Mitrovicës i dekoruar me flamuj serbë, me mbishkrimin Kosova është Serbi në 20 gjuhë dhe ikonografi mesjetare.

Zhvillimet rreth trenit nxitën luftë fjalësh të ashpra ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës por edhe shqetësimet e diplomatëve për rritjen e tensioneve ndërmjet të dyja palëve.

Treni pasoi tensionet edhe ashtu të larta ndërmjet të dyja palëve, pas ndalimit në Francë të ish kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj në bazë të një urdhër arresti të lëshuar nga autoritetet serbe.

XS
SM
MD
LG