Lidhje

MPJ e Kosovës thotë se Serbia po shet armë në Afrikë për qëllime politike


Ministria e Jashtme e Kosovës i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të mbikëqyrë shitjen e armëve nga Serbia në vende të Afrikës dhe shpërdorimin e tyre për qëllime politike.

Në një komunikatë të kësaj ministrie shprehet "shqetësimi i thellë pas publikimit të dëshmive bindëse nga organizatat e besueshme ndërkombëtare, siç është Amnesty International, se armatimi i prodhuar në shtetin serb vazhdon të përdoret nga disa shtete afrikane, të cilat bëjnë shkelje sistematike të të drejtave të njeriut dhe madje përdoren edhe nga luftëtarët e Organizatës Terroriste Boko Haram".

Ministria e Jashtme e Kosovës i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare "që të rrisë kontrollin, verifikimin dhe mbikëqyrjen e sjelljeve dhe veprimeve të tilla të shtetit serb në kontinentin afrikan, të cilat në mënyrë të tërthortë u kontribuojnë abuzimeve të të drejtave themelore të njeriut dhe kërcënimit serioz të paqes dhe sigurisë".

Ministria e Punëve të Jashtme vlerëson se "publikimi i këtyre dëshmive forcon bindjen se Serbia ka përdorur dhe po përdorë shitjen dhe faljen e armëve si mjet të diplomacisë për të joshur disa shtete jo-njohëse të Republikës së Kosovës në kontinentin afrikan, që mos të ndërmarrin një hap të tillë", thuhet në komunikatën e publikuar të dielën.

Komunikata pasoi shkrimet sipas të cilave Amnesty International i ka kërkuar Serbisë që t'i jap fund eksportimit të armëve në Kamerun. Zyrtarë të kësaj organizate i kanë thënë BIRN-it se Kameruni ka përdorur armët serbe në një model të “shkeljeve sistematike” të të drejtave të njeriut.

Patrick Ëilcken, nga Amnesty International, citohet të ketë thënë se një video ku shihet ekzekutimi i dy grave dhe dy fëmijëve të vegjël në Kamerun dëshmon përdorimin e armëve të prodhuara në Serbi.

Në shtator të vitit 2017, BIRN-i raportoi se armë të tipit Kojota, të prodhuara fabrikën Zastava në qytetin e Kragujevcit në Serbi, janë parë në Nigeri dhe mendohet se janë përdorur nga militantët e grupit Boko Haram.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG