Lidhje

Kosovë: Debate në distancë rreth tarifave ndaj mallrave serbe


Ish kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në një letër të hapur drejtuar kryeministrit Albin Kurti, i bëri thirrje që të mos heqë tarifat ndaj mallrave serbe të vendosura në vjeshtën e vitit 2018, të cilat u pasuan me pezullimin e bisedimeve Kosovë – Serbi.

Letra e zotit Haradinaj, i cili ndodhet nw Washington, pasoi paralajmërimet e kryeministrit Kurti për zëvendësimin e tarifave me masat e reciprocitetit të plotë me Serbinë, një paralajmërim në dritën e thirrjeve të diplomatëve perëndimorë që tarifat të hiqen menjëherë.

“Albin, mos e lejo tregun e fitimit të mbi 400 milionë Euro-ve për Serbinë, shtetin i cili të ka rrahur e të ka torturuar. Shtetin, që me paratë e popullit të Kosovës blenë armë në Rusi. Të lutem, mos e kamuflo këtë vendim sovran me terme të mjegullta siç është “reciprociteti”. Mos e hjek taksën Albin. Mos u tërhiq për disa poena të përkohshëm që mund t'i fitosh nga bashkësia ndërkombëtare. Miku që është mik i vërtetë të don e të ndihmon me lavd, por edhe me kritika. Nëse nuk jemi të zotët e vetes nuk na don as miku”, shkruan zoti Haradinaj në letrën e tij.

Zëvendësimi i tarifave me masën e reciprocitetit është edhe pjesë e programit qeverisës të koalicionit të lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, tha të mërkurën zoti Kurti.

“Pra ne nuk themi që do të kthehemi në marrëdhënie asimetrike me Serbinë përkundrazi do të avancojmë duke e shndërruar subjektivitetin tonë në çështje integriteti dhe dinjiteti me parimin i cili më së shumti njihet për vlerën e tij në raportet ndërfqinjësore bilaterale e ky është reciprociteti”, tha ai.

Edhe kryetarja e parlamentit të Kosovës, Vjosa Osmani, theksoi një qëndrim të tillë duke nënvizuar se fillimisht Serbia duhet të ndalë fushatën kundër Kosovës dhe njohjeve të reja.

Të enjten edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, i bëri thirrje kryeministrit Kurti që “të mos ngutet” me tarifat.

“Taksa ndaj importeve serbe ka qenë vendim dinjitoz i shtetit tonë për t'iu kundërvënë sulmeve të njëpasnjëshme që Serbia ka bërë kundër Kosovës. Shpreh shqetësimin për ngutinë e tepruar të kryeministrit të ri për të përmbushur kerkësat e Serbisë dhe për të rehatuar Listën Serbe, e cila u largua nga qeveria e kaluar për shkak të taksës. Një qeveri ka rënë si pasojë e taksës, gjë që ka dobësuar për një kohë Kosovën. Prandaj, nuk duhet të ketë manovrime politike për këtë temë të ndjeshme, e cila rrezikon ta dëmtojë më tej vendin tonë. Qeveria e re duhet të mos të dorëzohet para Serbisë përpara sfidave dhe vendimeve të mëdha që e presin Kosovën”, shkroi zoti Veseli në rrjetet sociale.

Në nëntor të vitit 2018, qeveria e Kosovës vendosi tarifat prej 100 për qind ndaj mallrave serbe në shenjë kundërshtimi ndaj qasjes së Beogradit ndaj shtetësisë së Kosovës.

Beogradi kushtëzon vazhdimin e bisedimeve për normalizim marrëdhëniesh me Kosovës me heqjen e këtyre tarifave, por qeveria e zotit Haradinaj refuzoi çdo përpjekje të diplomacisë perëndimore për ta bindur për një gjë të tillë.

Menjëherë pas formimit të qeverisë së Albin Kurtit, ambasadori amerikan Richard Grenell, i dërguar i posaçëm amerikan për bisedimet Kosovë – Serbi, tha se “pret që tarifat të hiqen menjëherë”. Ambasadori Grenell gjatë muajit janar vizitoi Kosovën dhe Serbinë duke kërkuar që Prishtina të heqë traumat, ndërsa Beogradi t’i jap fund fushatës për tërheqjen e njohjeve për pavarësinë e Kosovës.

Serbia e mbështetur nga Moska, vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës, e cila u shpall 12 vjet më parë me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian.

XS
SM
MD
LG