Lidhje

Kosovë: Hiqen tarifat ndaj mallrave serbe


Kryeministri Kurti shkarkon ministrin e Brendshëm – LDK kundërshton
Kryeministri Kurti shkarkon ministrin e Brendshëm – LDK kundërshton

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se nga e marta hiqen tarifat ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina dhe fillon vendosja shkallë shkallë e masave reciproke ndaj Serbisë.

“Ky vendim mbetet në fuqi deri më 15 qershor me ç’rast ne do ta bëjmë një vlerësim të gjithëmbarshëm të mbarëvajtjes së këtij vendimi”, tha zoti Kurti, duke theksuar se “me Bosnje e Hercegovinën e heqim tarifën 100 për qind pa asnjë shtesë tjetër”.

Zoti Kurti tha se “masat e reciprocitetit ose veprimet e ndërsjella janë institut i marrëdhënieve mes shteteve sovrane dhe i njohur nga parimet e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare. Marrëveshja e përgjithshme për tarifat dhe tregti e vitit 1947 e ndryshuar më 1994 është instrument themelues i Organizatës Botërore të Tregtisë dhe kjo njeh parimet themelore të reciprocitetit, mosdiskriminimit dhe shtetit më të favorizuar. Në thelb këto parime shërbejnë për të dhënë një rezultat efikas dhe trajtim të barabartë të politikës tregtare duke eliminuar barrierat në tregti. Marrëveshja e tregtisë së lirë e Evropës qendrore CEFTA e vitit 2007 ndër të tjera ka qëllim kryesorë të eliminojë barrierat tregtare dhe të lehtësoj lëvizjen e mallrave në transit dhe lëvizjen ndërkufitare të mallrave dhe shërbimeve midis territoreve të vendeve. Traktati i komunitetit të transportit i nënshkruar nga Bashkimi Evropian, Serbia dhe Kosova krahas vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor gjithashtu parasheh që palët të zbatojnë legjislacionin e Bashkimit Evropian për transportin rrugor”, theksoi ai.

AI tërhoqi vërejtjen se “që nga hyrja në fuqi e CEFTA-s, Serbia ka vendosur një mori barrierash tregtare dhe jotarifore ndaj Republikës së Kosovës duke përfshirë në transit edhe barrierat politike. Kështu Serbia ka dëmtuar eksportuesit dhe importuesit dhe ka shkaktuar një deficit të lartë për vendin tonë”.

Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, u shpreh i kënaqur me “vendimin për heqjen e tërësishme të tarifave ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja nga qeveria në detyrë e Kosovës. Ky është një vendim i rëndësishëm. Bashkëpunimi rajonal është thelbësor për lëvizjen e mallrave posaçërisht në kohën e krizës së COVID-19-tës”, shkroi ai në rrjetet sociale.

Tarifat prej 100 për qind ndaj mallrave serbe u vendosën në nëntor të vitit 2018 nga qeveria e ish kryeministrit Ramush Haradinaj, në shenjë kundërvënieje ndaj qasjes agresive të Beogradit ndaj pavarësisë së Kosovës.

Kjo çoi në pezullimin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për shkak të refuzimit të Beogradit që të ulet në tryezën e bisedimeve derisa nuk hiqen tarifat.

Ish kryeministri Haradinaj rezistoi trysninë ndërkombëtarë për heqjen e tyre deri në korrik të vitit 2019 kur dha dorëheqje për t’u paraqitur në Hagë ku u thirr nga prokuroria e posaçme që trajton pretendimet për krime lufte dhe të pasluftës në Kosovë. Rënia e qeverisë së tij ishte rrjedhojë e përplasjeve edhe të brendshme për shkak të tarifave.

Qeveria e re e Kosovës që doli pas zgjedhjeve të tetorit të vitit 2019, u gjet nën trysni posaçërisht të Shteteve të Bashkuara për heqjen e tërësishme të tarifave të cilat u shprehën të pakënaqura me qëndrimin e zotit Kurti për heqjen e pjesshme të tarifave.

Mospajtimet rreth kësaj çështjeje përfshinë edhe marrëdhëniet ndërmjet partnerëve të koalicionit qeverisës Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, që kulmuan me rrëzimin e qeverisë Kurti më 25 mars.

Kjo ishte qeveria e dytë që u rrëzua për shkak të tarifave.

Ish kryeministri Haradinaj shkroi të martën në facebook se “Heqja e taksës 100 për qind për (Aleksandër) Vuçiqin e Serbisë e (Milorad) Dodikun e Republikës serbe të Bosnjës, është nënshkrim i dhënë për të lejuar ripushtimin ekonomik e tregtar serb në Kosovë”.

Ai shkroi mes tjerash se “Kurti ia humbi përfundimisht Kosovës kapitalin politik të krijuar me taksën 100%, i cili ishte dizajnuar të përdoret në këmbim të marrëveshjes përfundimtare për njohje reciproke në kufijtë ekzistues mes Kosovës dhe Serbisë”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG