Lidhje

Beogradi i shqetësuar me çështjen e telekomunikacionit në Kosovë


Deri të dielën, autoritetet serbe duhet të vendosin nëse do të pranojnë apo jo “propozimin e marrëveshjes për telekomunikacionin me Kosovën, që ka ardhur nga Brukseli".

Pa shpalosur hollësi rreth saj, kryeministri serb Aleksandër Vuçiç, tha se vendimi do të jetë i rëndë, sepse mund të ketë pasoja të rënda politike. Nëse nuk pranohet marrëveshja, mund të bllokohen negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Më herët gjatë së mërkurës, shefi i zyrës serbe për Kosovën, Marko Gjuric, e quajti ultimatum tekstin e marrëveshjes që sipas tij kërkon nga Serbia që të heqë dorë nga "pasuria e saj në Kosovë".

Madje, ai tha se do të jap dorëheqje nga posti i tij nëse qeveria serbe merr vendim të pranojë propozimin.

Shefi i qeverisë serbe tha se "nuk bëhet fjalë për ultimatum" dhe se qëndrimet e zyrtarit Gjuriç. mund ta vënë atë në pozitë të vështirë.

Kosova dhe Serbia ishin marrë vesh më herët në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian që Kosova të ketë Kodi e saj telefonik, 383 dhe që në emër të saj atë ta kërkojë Austria. Në këmbim, autoritetet e Prishtinës ishin pajtuar që një kompanie serbe t'i jepet një leje e përkohshme që do të funksionojë sipas ligjeve të Kosovës dhe që do t'u shërbente zonave të banuara me pjesëtarë të komunitetit serb.

Por, Beogradi shtroi edhe kërkesat që një degë e telekomit të Serbisë të ketë shtrirje në gjithë Kosovën dhe që asaj t’i lihen pasuritë e telekomit të Kosovës, që sipas Prishtinës, mbahen të uzurpuara.

Këto kërkesa janë hedhur poshtë nga Prishtina dhe nuk janë përfshirë as në marrëveshjen që Beogradi thotë se e ka marrë nga Brukseli.

Marrëveshja për kodin telefonik është pjesë e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve, të cilat Serbisë i siguruan negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa Kosovës Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit.

XS
SM
MD
LG