Lidhje

Beograd: Dënohen 11 shqiptarë për krime lufte


Gjykata e Lartë në Beograd i dënoi 11 shqiptarë me gjithsej 116 vjet heqje lirie nën akuzat për krime të luftës ndaj civilëve më 1999

Gjykata e lartë në Beograd, dënoi sot 11 shqiptarë nga Lugina e Preshevës me gjithsej 116 vjet heqje lirie, nën akuzat për krime të luftës ndaj civilëve në vitin 1999. Gjashtë shqiptarë të tjerë janë liruar nga akuzat.

Gjykata dënoi me 15 vjet burg Samet Hajdarin, me nga 13 vjet Ahmet dhe Nazif Hasanin, me nga 12 vjet u dënuan Selmon Sadiku, Burim Fazliu dhe Agush Memishi, ndërsa Faton Hajdari është dënuar me 10 vjet burg. Tre të tjerë, Ferat Hajdari, Kamber Sahiti dhe Sadik Aliu, janë dënuar me nga tetë vjet, ndërsa Shefket Musliu, është dënuar me pesë vjet heqje lirie.

Një pjesë e të dënuarve janë gjykuar në mungesë.

Gjykata liroi nga akuzat Fazli Hajdarin, Rexhep Aliun, Shaqir Shaqirin, Idriz Aliun, Ramadan Halimin dhe Shemsi Nuhiun.

Të gjitha akuzoheshin se siç thuhet, si pjesëtarë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nga fillimi i qershorit deri në fund të dhjetorit të vitit 1999 kanë torturuar të paktën 80 njerëz, nga të cilët 34 janë zhdukur, përderisa afro 153 persona janë arrestuar në mënyrë të paligjshme, janë torturuar dhe më pas janë lënë të lirë.

Autoritetet serbe kishin ngritur akuza kundër 17 ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për të cilët pretendohet se kanë kryer mizori në qytetin e Gjilanit në Kosovën lindore, në përfundim të luftës në Kosovë. Nëntë prej tyre u arrestuan në dhjetor të vitit 2008 në rajonin e Luginës së Preshevës.

Gjatë procesit gjyqësor, të gjithë të akuzuarit, i kanë hedhur poshtë akuzat si të pabaza e të kurdisura nga shërbimi sekret serb.
XS
SM
MD
LG