Lidhje

Serbia kërkon bisedime politike me Kosovën


Presidenti serb, Tomislav Nikoliç, tha se Serbia është e gatshme për bisedime politike me Prishtinën por pa e njohur pavarësinë e Kosovës

Presidenti i Serbisë Tomislav Nikolic, tha se vendi i tij nuk do të njohë kurrë pavarësinë e Kosovës, por është i gatshëm të hap bisedime të drejtpërdrejta politike me Prishtinën, për të siguruar një jetë më të mirë për qytetarët.

Në fjalimin e tij para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, presidenti serb tha se shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës, paraqet “precedent dhe kërcënim afatgjatë për qëndrueshmërinë në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë”.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës, që u shpall më 17 shkurt të vitit 2008 dhe deri tash është njohur nga rreth 90 vende të botës.

Presidenti serb tha se “Serbia nuk është e gatshme dhe nuk mundet që në kurrfarë rrethanash të njohë pavarësinë e njëanshme të krahinës së saj jugore të Kosovës”.

Ai shprehu gatishmërinë e Serbisë që të zbatojë të gjitha marrëveshjet e arritura deri tash në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, duke nënvizuar se ato marrëveshje ishin “plotësim i dëshirave të palës shqiptare” dhe “lëshim pe i udhëheqjes së atëhershme të Serbisë nën trysnitë e rënda”.

Ai tha se Serbia është e përkushtuar të arrijë paqe të qëndrueshme në mes të serbëve e shqiptarëve, por asnjëherë të negociojë për pavarësinë e Kosovës.

Ai theksoi se vendi i tij është i përkushtuar që të vazhdojnë bisedimet, duke u bazuar gjithmonë në faktin që të vazhdohet me ritmin e integrimeve evropianë të Serbisë dhe Ballkanit Perëndimor në mënyrë që të sigurohet një përparim e qëndrueshmëri afatgjate për rajonin. “Serbia ofron propozim konkret – negociata të drejtpërdrejta në nivelin më të lartë politik”, tha presidenti serb, Tomislav Nikolic.

Mundësia e bisedimeve politike është shtruar edhe në takimin e përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Catherine Ashton, me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi në New York. Zonja Ashton citohet të ketë thënë se “vendime të vështira i presin Beogradin dhe Prishtinën dhe se të dy palët është e nevojshme të jenë të gatshme të angazhohen, përfshirë edhe nivelin politik”.

Prishtina zyrtare nuk e ka kundërshtuar vazhdimin e bisedimeve, por ngulë këmbë në zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri në mars të këtij viti, të cilat i mundësuan Serbisë të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Serbia është në pritje të datës për fillimin e negociatave për anëtarësim, ndërsa diplomatët evropian i kanë vënë si kusht normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Zyrtarë serbë shpresojnë që data e negociatave të merret në mesin e vitit të ardhshëm, por, theksojnë se kjo do të varet edhe nga mënyra se si do të zgjidhen problemet sidomos në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Prishtina zyrtare është shprehur e gatshme të bisedojë me serbët në veri, ku nuk njihen dhe nuk pranohen institucionet e Kosovës. Ndonëse ka hedhur poshtë mundësinë që të bisedojë më Beogradin për gjendjen në atë zonë, shume diplomatë por edhe përfaqësues institucionesh në Kosovë besojnë se veriu do të mund të ishte madje tema e parë e bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
XS
SM
MD
LG