Lidhje

Pasojat e dëmtimit të varrezave serbe në Kosovë


Në Kosovë, përfaqësues të organizatave humanitare, sociologë e shkrimtarë dënojnë dëmtimin e varrezave serbe

Përfaqësues të organizatave humanitare, sociologë e shkrimtarë, dënuan incidentet e ditëve të fundit në Kosovë, gjatë të cilave u dëmtuan dhjetëra varreza të komunitetit serb. Dëmtimi i tyre ndodhi pak kohë pasi që autoritetet serbe larguan nga qendra e Preshevës një pllakë përkujtimore, kushtuar të rënëve të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit.

Publicisti dhe shkrimtari Milazim Krasniqi, tha në një bisedë për Zërin e Amerikës, se largimi i pllakës përkujtimore në Preshevë ishte veprim i papranueshëm dhe dëshmon për qasjen përjashtuese të qeverisë serbe. Por njëkohësisht thotë ai, edhe veprimet e shqiptarëve në zonë e kanë ngushtuar çështjen e tyre politike në një pllakë përkujtimore, ndonëse ajo është prodhim i procesit të shpërbërjes së ish Jugosllavisë dhe në këtë kuadër do të duhej edhe të shqyrtohej. Ai thotë se reagimet në Kosovë, ishin të skajshmërisht të dëmshme.

Milazim Krasniqi
Milazim Krasniqi


Absolutisht është i papranueshëm dëmtimi i varrezave, dëmtimi i objekteve fetare. Në si shtet i ri, duhet të japim mesazhin që po ndërtojmë një shtet tolerant, një shtet multietnik, një shtet të vlerave qytetare, të vlerave evropiane, në të cilin të gjithë qytetarët janë të barabartë para ligjit dhe në të cilin ne si shumicë shqiptare, duhet të japim shembullin e mirë të integrimit të bashkësive të tjera. Ndërsa, kjo që ka ndodhur është vërtetë e shëmtuar. Nuk është në traditën e shqiptarëve, as kombëtare, as fetare, që të dëmtohen varrezat, të dëmtohen objektet e kultit. Prandaj, në këtë aspekt edhe apeli im qytetar është që kjo kurrë më të mos përsëritet”, tha zoti Krasniqi

Sociologu Ismail Hasani, thotë se heqja e pllakës në Preshevë dhe dëmtimi i varrezave në Kosovë, janë trishtuese.
Ismail Hasani
Ismail Hasani

Lapidari dhe dëmtimi i varrezave ortodokse në Kosovë, konsideroj se janë ngjarje të shëmtuara të cilat do të kenë kosto bukur të riparueshme në zhvillimet e mëtejme sa i takon avancimeve të Kosovës paraprakisht, por në të njëjtën kohë edhe mundësisë së avancimit të të drejtave dhe lirive qytetare e kombëtarë të shqiptarëve në Luginën e Preshevës”, tha zoti Hasani

Ndërkaq për Behxhet Shalën nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të njeriut, janë dëmtuar përpjekjet për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet komuniteteve.
Behxhet Shala
Behxhet Shala

Shqiptarët apo ata që kanë qëndruar prapa shkatërrimit të varrezave, nuk është dashur ta marrin për shembull Serbinë, sepse heqja e lapidarit ka qenë një akt i pamatur mire. Ndoshta dikush ka dashur rë përfitojë politikisht. Por, është e keqja që me heqjen e lapidarit doli se kanë dashur të përfitojnë politikisht edhe serbët por edhe shqiptarët dhe është krijuar një situatë e cila nuk i bën nderë askujt”, tha zoti Shala

Ata thonë se ngjarjet e ditëve të fundit e kanë përqendruar trysninë ndërkombëtare ndaj Kosovës.

Që do të thotë se Serbia në këtë mënyrë e ka realizuar një objektiv të vetin, që në të njëjtën kohë i ka dëmtuar shqiptarët e Preshevës, por fajin de fakto e ka bartur tek shqiptarët e Kosovës. Kjo është në të vërtetë, për mendimin tim edhe një krizë e planifikimit dhe mendimit politik në Kosovë, sepse kjo çështje është dashtë të menaxhohej më mirë. Është dashur të mos i japi zjarr medial dhe politik çështjes së lapidarit atje, të hapje një debat më racional dhe në atë mënyrë, do të evitohej edhe kjo lloj, si të them, histerie kolektive, që për fat të keq, prodhoi edhe këto veprime shumë të shëmtuara”, tha zoti Krasniqi.

Konsideroj se institucionet e Kosovës kanë reaguar dhe vazhdojnë të reagojnë, por kjo ngjarje i ka ndodhur Kosovës. Domethënë kemi një skenë, një tablo e cila për miqtë tanë, për mbështetësit e projektit të Kosovës së pavarur edhe shumë rrëqethëse. Por, do të duhej shtuar përkujdesin dhe duhej marrë masa të përnjëhershme që të zbulohen aktorët e këtyre ngjarjeve të shëmtuara, për faktin se kujtesa historike dhe shenjat e të parëve, janë gjëra të shenjta, ndaj të cilave nuk ka entitet etnik që mund të jetë i rezistueshëm”, tha zoti Hasani.

Është dashur të nxjerrin mësim nga e kaluara dhe menjëherë të marrin masa parandaluese, duke i mbrojtur edhe objektet fetare serbe, por edhe duke i mbrojtur edhe varrezat. Po të kishin marrë këtë veprim, atëherë sot nuk do të flisnim për dëmtimin e varrezave. Domethënë që është shkaktuar një dëm i panevojshëm, janë sulmuar vendet që në asnjë mënyrë nuk do të duhej të dëmtoheshin dhe i ka rënë një hije jashtëzakonisht e keqe jo vetëm si shqiptarë por edhe si njerëz. Kjo ishte rast për t’u gjykuar”, tha zoti Shala.

Dëmtimi i varrezave serbe u dënua gjerësisht nga institucionet vendase e ndërkombëtare, ndërsa qeveria e Kosovës mori përsipër shpenzimet për riparimin e tyre. Por, siç thonë analistët, riparimi i dëmit politik është pjesa më e vështirë e punës.
XS
SM
MD
LG