Lidhje

Zbatohet marrëveshja për gjykatat në veriun e Kosovës


Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, dekretoi sot emërimin e 40 gjykatësve dhe 13 prokurorëve të rinj që do të punojnë në institucionet e drejtësisë në veriun e banuar me shumicë serbe.

Të gjithë ata morën pjesë në ceremoninë e betimit para presidentit me çka u përmbush edhe marrëveshja për drejtësinë në veriun e Kosovës, e cila ishte arritur më 10 shkurt të vitit 2015 dhe parashihte shuarjen e gjykatave dhe prokurorive të kontrolluara nga Beogradi dhe integrimin e gjykatësve dhe prokurorëve në sistemin e drejtësisë së Kosovës.

Më 31 gusht në takimin ndërmjet presidentit Thaçi dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç të ndërmjetësuar nga shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini, ishte vendosur që 17 tetori të shënojë hyrjen në fuqi të marrëveshjes por zbatimi i saj u shty për disa ditë me kërkesë të Beogradit.

Pas ceremonisë së sotme presidenti Thaçi përgëzoi prokurorët dhe gjykatësit e rinj, duke nënvizuar se emërimi i tyre pasqyron plotësisht natyrën shumetnike të Kosovës.

Zbatimi i marrëveshjes u mirëprit nga Bashkimi Evropian i cili ndërmjetëson bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në një komunikatë të zyrës së zonjë Federica Mogherini thuhet se "një gjyqësor i integruar që përfaqëson të gjitha komunitetet në Kosovë, është thelbësorë për të siguruar drejtësinë për të gjithë. Një gjyqësor i integruar do të mundësojë zbatimin njëlloj të ligjeve të Kosovës në të gjitha gjykatat themelore dhe nga të gjitha zyrat e prokurorisë", dhe kjo do të forcojë "sundimin e ligjit si një shërbim thelbësorë dhe nxitës i rritjes ekonomike dhe investimeve", thuhet në komunikatë.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës, por është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve në shkëmbim të afrimit me strukturat e Bashkimit Evropian. Këto bisedime, në kuadër të të cilave ishte edhe marrëveshja për drejtësinë, i siguruan asaj hapjen e negociatave për anëtarësim në BE, ndërsa Kosovës marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG