Lidhje

Gjykata e Posaçme për krime lufte në Kosovën më afër funksionalizimit


Gjykata e Posaçme për Kosovën njoftoi të martën se ka miratuar rregulloren e procedurës dhe provave, që është edhe veprimi i fundit para fillimit të punës së saj.

"Rregullorja e Procedurës dhe e Provave i kushton rëndësi mbrojtjes së dëshmitarëve, viktimave dhe personave të tjerë të rrezikuar për shkak të dhënies së dëshmisë, ose bashkëpunimit të tyre me Dhomat e Specializuara. Në tërësi, Rregullorja e Procedurës dhe e Provave synon të fuqizojë paanësinë, drejtësinë, shpejtësinë, efikasitetin, ndershmërinë dhe sigurinë e procedurave të Dhomave të Specializuara, duke respektuar njëkohësisht Kushtetutën dhe standardet më të larta të të drejtave të njeriut", thuhet në një komunikatë të kësaj gjykate.

Kryetarja e gjykatës Ekaterina Trendafilova, citohet të ketë thënë se “Me miratimin e kësaj rregulloreje në më pak se dy muaj pas emërimit të tyre, gjykatësit treguan dijeni dhe profesionalizëm të shkëlqyer dhe një përkushtim absolut për një procedurë solide, efikase dhe të drejtë e të paanshme në Dhomat e Specializuara".

Brenda 30 ditësh Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese duhet të shqyrtojë rregulloren për të përcaktuar nëse ajo përputhet me Kushtetutën e Kosovës. Rregullorja hyn në fuqi shtatë ditë pasi të jetë marrë vendimi kushtetutshmërinë e saj.

Nëntëmbëdhjetë gjykatës nga Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe vendet e Evropës perëndimore janë emëruar në fillim të muajit shkurt në Gjykatën e Posaçme që do të trajtojë pretendimet për krime lufte në Kosovë.

Në fillim të muajit dhjetor të vitit të kaluar, Holanda ratifikoi marrëveshjen për të qenë mikpritëse e Gjykatës së Posaçme për krime lufte në Kosovë e cila hyri në fuqi më 1 janar të këtij viti.

Gjykata është e vendosur në Hagë, qytetin që është mikpritës edhe i tri gjykatave ndërkombëtare përfshirë edhe atë për krime lufte në hapësirat e ish Jugosllavisë.

Ideja për themelimin e gjykatës së posaçme për krime lufte në Kosovë, pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dick Marty, raporti i të cilit i paraqitur ne Këshillin e Evropës gjashtë vjet më parë, përmban akuza ndaj ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për rrëmbime, keqtrajtime, vrasje pa gjyq dhe në disa raste marrje me forcë organesh njerëzore dhe trafikim të tyre nga Shqipëria gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Në vitin 2011 Bashkimi Evropian krijoi një Grup të Posaçëm për të hetuar rreth akuzave të raportit Marty.

Kryeprokurori i parë, Clint Williamson, njoftoi në korrik të vitit 2014 se ai kishte gjetur mjaft prova për të ngritur akuza ndaj disa ish drejtuesve të UÇK-së, që sipas tij, ishin përgjegjës për një fushatë të organizuar rrëmbimesh, arrestimesh të paligjshme e vrasjesh pa gjyq.

Sipas tij, shumica e viktimave ishin pjesëtarë të grupeve të tjera pakicë në Kosovë serbë, romë e të tjerë, por edhe shqiptarë të konsideruar bashkëpunëtorë të serbëve, ose kundërshtarë politikë të udhëheqjes së UÇK-së. Lidhur me supozimin për "trafikim organesh", zoti Williamson vinte në dukje se nuk kishte gjetur mjaft prova sa për të ngritur akuza.

Në maj të vitit 2015, kryeprokuror i posaçëm u emërua amerikani David Schwendiman.

Në fillim të muajit gusht të vitit 2015, parlamenti i Kosovës miratoi me shumicë votash ligjin për Gjykatën e Posaçme, e cila me emrin "dhomat e posaçme" do të veprojë në Hagë me gjykatës e prokurorë ndërkombëtarë. Gjykata e financuar nga Bashkimi Evropian do të veprojë në përputhje me ligjet e Kosovës.

Vendosja e gjykatës në Hagë është thënë se është bërë për faktin se dëshmitarët mund të ndiheshin të kërcënuar nëse proceset gjyqësore do të zhvilloheshin në Kosovë.

Hetimet rreth pretendimeve për krime lufte të kryera nga pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kishin nxitur reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998-1999.

Zyrtarët perëndimorë pohojnë se Gjykata do të ndihmojë heqjen e reve të zeza mbi Kosovën dhe do të veprojë në përputhje me ligjet e Kosovës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG