Lidhje

Pezullohet greva trejavëshe në sistemin publik të arsimit në Kosovë


Punonjësit e sistemit publik të arsimit në Kosovë pezulluan të premten grevën e përgjithshme, pasi që sindikatat e tyre arritën një marrëveshje me qeverinë e Kosovës për ndryshimin e ligjit për pagat, duke ngritur shkallën e pagave për për 20 për qind në këtë sektor.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës e Kulturës, Rrahman Jasharaj, tha pas nje mbledhjeje të këshillit drejtues të kësaj sindikate se marrëveshja me qeverinë është shumë e përafërt me kërkesat e sindikatës.

Kësisoj greva pezullohet deri në votimin e ligjit për pagat në parlament, duke bërë që mësimi të vazhdojë të hënën, ndërsa greva do të llogaritet e ndërprerë përfundimisht vetëm pas miratimit të ligjit.

“Marrëveshja e re, lëvizja e re, na ofron shumë te kërkesat tona dhe pra urime të gjithëve sepse vitit i ri shkollor, gjysmë vjetori i dytë po fillon të hënën”, tha zoti Jasharaj.

Para tri javësh punonjësit e shkollave fillore, të mesme dhe të universiteteve publike të Kosovës, u hodhën në grevë të përgjithshme për t'i bërë trysni qeverisë që të ndryshojë ligjin për pagat, duke rritur normën e pagesës për këtë sektor për 30 për qind.

Greva pati ditëve të kaluara edhe në sektorë të tjerë të përfshirë në ligjin për pagat, si në shëndetësi e në administratën publike.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se beson që me arritjen e kësaj marrëveshjeje është bërë përmbyllja e edhe e projektligjit që do të hidhet të shtunën për votim në parlamentin e Kosovës.

“Është e ditur që qeveria e vendit është t’ju jap përgjigje të gjitha kategorive që paguhen nga buxheti apo nga paratë e popullit. Kemi edhe ndonjë sfidë aty-këtu, por ju siguroj që jemi të interesuar që të respektohet dinjiteti i të gjithëve në Kosovë. Nuk është në interesin as të qeverisë as të koalicionit, as të kryetarit (Kadri) Veseli e timin, por as të partnerëve tjerë të koalicionit, që cilado kategori apo cilido institucion i vendit tonë, të mos respektohet”, tha ai.

Kryetari i parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se pret që të shtunën të miratohet ligji me të cilin u rriten pagat e mbi 70 mijë punonjësve të sektorit publik në vend.

“Të gjithë punëtorëve në sistemin e arsimit u janë rritur pagat dhe ashtu siç kemi premtuar me kryeministrin Haradinaj, do të mbajmë premtimet që të jemi afër tyre aq sa për të gjithë sektorët tjerë siç janë policia, ushtria, shëndetësia, artistët, administrata publike, asamblistët e komunave, pensionistët dhe të gjithë punëtorët e tjerë”, tha ai.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, kërkoi sot ngritjen e një komisioni hetimor që do të merrej me përcaktimin e përgjegjësisë ndaj atyre që u kanë paguar pagat punonjësve të arsimit, të cilët “e kanë bojkotuar dhe sabotuar punën”.

“Nëse ky rast kalohet pa u caktuar përgjegjësia dhe pa u marrë masat ligjore në përputhje me shkallën e përgjegjësisë, atëherë do të legalizohej një precedent me ç’rast mund të mos punoni për muaj të tërë dhe për mos – punë apo edhe për dëmin që e keni bërë, do të paguheni sikur të ishit punëtorë shembullorë”, thuhet në reagimin e këtij këshilli.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG