Lidhje

Kosovë, shëndetësia dhe arsimi në grevë


Sindikatat e shëndetësisë dhe të arsimit në Kosovë u hodhën të premten në një grevë paralajmëruese, kundër pezullimit të zbatimit të ligjit për pagat.

Pezullimi që do të jetë në fuqi deri më 30 mars të vitit 2020, u vendos nga Gjykata Kushtetuese pas kërkesës së Avokatit të Popullit, për “vlerësimin e përputhshmërisë” së këtij ligji me Kushtetutën.

Shumica e shkollave, çerdheve dhe universiteteve publike mbajtën dy orë grevë e cila ishte vendosur para vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Në një njoftim të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Shkencës së Kosovës thuhet se “në shumicën absolute, gjegjësisht në mbi 98 për qind të institucioneve arsimore u mbajt greva dyorëshe Nga raportet shihet se nga 1116 institucione arsimore parauniversitare, gjegjësisht nga 784 shkolla amë dhe 332 paralele të ndara në grevë ishin 1101, ndërsa pjesërisht apo plotësisht në grevë nuk kanë marrë pjesë vetëm 15 sosh”, thuhet në njoftimin e kësaj sindikate.

Edhe punonjësit shëndetësor të të gjitha niveleve kanë hyrë në grevë tërë ditore. Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës tha se “greva ka filluar në ora 07:00 ashtu siç ishte planifikuar në të gjitha Institucionet Shëndetësore të Kosovës dhe deri më tani të gjithë punëtorët i janë përgjigjur grevës së Përgjithshme”.

Kandidati për kryeministër i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tyha se ligji i ri për pagat është i përshkuar nga pabarazitë dhe se do të ndryshohet dhe plotësohet në qeverinë e tij.

“Ne as si deputet sot dhe as si qeveri nesër, nuk mund t’i dalim përball vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe jemi në pritje të aktgjykimit të kësaj gjykate, me ç’rast të gjitha ato që do të thuhen aty do t’i adresojmë. Përndryshe, unë besoj, se kemi nevojë për projektligj të ri pra që e plotëson dhe e ndryshon këtë aktualin në mënyrë që pabarazitë e ngelura të eliminohen. Le të mos harrojmë se edhe me këtë ligjin e ri të pagave, shoferi i kryetarit të parlamentit e ka pagën më të lartë se drejtori i shkollës, andaj pabarazitë janë të papranueshme dhe duhet të adresohen në një projektligj të ri për pagat, të plotësohet dhe të ndryshohet ky aktuali e me ç’rast do të merren parasysh ato që do të na i thotë gjykata Kushtetuese me aktgjykimin përkatës”, tha zoti Kurti.

Në fillim të këtij muaji, Avokati i Popullit, bëri kërkesë për vlerësimin e ligjit të punës, i cili ishte miratuar në muajin shkurt të këtij viti, ndërsa hyri në fuqi më 1 dhjetor.

Sipas ligjit të ri, pagat përcaktohen në bazë të koeficienteve nga 1 në dhjetë.

Koeficienti më i lartë është 10, më të cilin paguhet presidenti i Republikës, i pasuar nga niveli i 9-të, ku bëjnë pjesë kryetari i parlamentit, kryeministri dhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës e kështu me radhë.

Sipas ligjit, vlera monetare e koeficientit për vitin e parë të zbatimit, do të jetë 239 euro.

Me koeficientet 1.7 deri në 2.5, paguhen punonjës të sistemit të sistemit arsimit, përfshirë edukatorët e kopshteve dhe drejtorët e shkollave të mesme.

Ligji i ri për pagat përfshinë edhe punonjësit e ndërmarrjeve publike të cilët ndjehen të goditur meqë pagat e tyre ulen. Ndërsa sindikatat e shërbyesve civilë ishin ankuar për diskriminim në ligjin për pagat që parasheh një rritje shumë të vogël për ta.

Avokati i Popullit tha se kishte pranuar 35 ankesa nga subjekte të ndryshme të sektorit publik dhe për këtë arsye kishte kërkuar vlerësimin e ligjit nga Gjykata Kushtetuese.

Rreth 82 mijë veta paguhen nga buxheti i Kosovës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG