Lidhje

Filloi në Prishtinë takimi ndërkombëtar i gruas


Qindra gra po marrin pjesë në takimin me temën “Partneriteti për ndryshim - fuqizimi i gruas”

Përfaqësuese vendase e ndërkombëtare, thanë sonte në Prishtinë se pa përfshirjen e plotë të grave, demokracia në asnjë vend nuk është e mundur.

Këto komente u bënë në fillim të takimit të lartë ndërkombëtarë të Gruas me temën: “Partneriteti për ndryshim - fuqizimi i gruas”, që organizohet nga presidentja e Kosovës
Atifete Jahjaga.

Në takim po marrin pjesë rreth 200 gra, në mesin e të cilave edhe ish sekretarja amerikane e shtetit Madeleine Albright.

Në hapje të takimit, presidentja Jahjaga tha se gratë kanë nevojë të jenë më të zëshme në përfaqësimin politik, por të kenë edhe një rol më të madh në vendimmarrje, në vendosjen e themeleve të demokracisë.

Ajo tha se, gra si sekretarja amerikane e shtetit Hillary Clinton dhe ish sekretarja Madeleine Albright kanë shfrytëzuar fuqitë e tyre për t’i ndihmuar vendet në nevojë, përfshirë edhe Kosovën dhe për këtë arsye edhe gëzojnë respektin e popullit dhe institucioneve të Kosovës.

Sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton, ju drejtua takimit nëpërmjet një video lidhjeje, gjatë së cilës rikonfirmoi përkushtimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për përkrahjen e Kosovës në të gjitha fushat. Sipas saj gratë janë bartëse të paqes.

Ndërsa ish sekretarja Albright tha se pa gra demokracia në asnjë vend nuk është e mundur.

Takimi që filloi sonte në Prishtinë dhe do të vazhdojë edhe gjatë dy ditëve të ardhshme, është i pari i këtij lloji në Evropën juglindore.
XS
SM
MD
LG