Lidhje

Akuzë për pjesëmarrje në luftën e Sirisë


Në Kosovë, Prokuroria e Posaçme akuzoi të mërkurën një qytetar për përfshirje në veprën penale "Organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste"

Prokuroria e posaçme e Kosovës, ngriti të mërkurën një aktakuzë ndaj një shqiptari të Kosovës nën dyshimet për organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste.

Sipas aktakuzës, “i pandehuri S.M. gjatë periudhës kohore korrik 2013 deri në janar të vitit 2014, me qëllim që t’i bashkëngjitet grupit terrorist “Al Nusra”, që operon në konfliktin e armatosur në Siri, ka udhëtuar në Turqi përmes aeroportit ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” në linjën Prishtinë - Stamboll, ku prej Stambollit ka vazhduar me autobus për në qytetin Hataj, dhe nga ky qytet ka shkuar me taksi drejt kufirit sirian, duke kaluar në mënyrë kufirin në rrugë të paligjshme. Aty vendoset në një qendër stërvitore, në rrethinën e qytetit të Alepos, ku i kryen ushtrimet fizike dhe ato me armë, të cilat kanë zgjatur rreth një muaj. Më pas është mobilizuar në grupin terrorist të lartcekur, ku si pasojë e konfliktit të armatosur i njëjti nga armët e zjarrit ka marr plagë në këmbën e majtë dhe pas shërimit të përkohshëm është kthyer në Kosovë. Me këtë i pandehuri ka kryer veprën penale: organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Qytetarët e parë të Kosovës që i janë bashkuar konfliktit në Siri, janë regjistruar nga mesi i vitit 2012. Fillimisht ata u ishin bashkuar forcave opozitare në Siri që luftonin për rrëzimin e regjimit të presidentit sirian, Bashar Al Asaad. Por, më vonë, shumica e tyre u bashkuan me organizatat si Al Nusra apo edhe grupi i quajtur Shteti Islamik i Irakut dhe Sirisë. Që atëherë rreth 300 qytetarë të Kosovës i janë bashkuar konfliktit atje ndërsa aktualisht sipas vlerësimeve të organeve të sigurisë numri sillet nga 60 deri në 100 veta. Mbi 40 prej tyre janë të deklaruar të vdekur.

Që nga viti 2013 e deri tash, autoritetet kanë hetuar mbi 180 persona të përfshirë në vepra që lidhen me terrorizmin. Rreth 90 persona janë arrestuar dhe janë ngritur mbi 40 aktakuza. Në muajin mars, parlamenti i Kosovës miratoi ligjin që parasheh dënime deri në 15 vjet heqje lirie për të gjitha ata që marrin pjesë, nxisin apo ndihmojnë përfshirjen në luftëra të huaja.

Muajin e kaluar, autoritetet në bashkëpunim me bashkësitë fetare, agjencitë e sigurisë e organizatat e shoqërisë civile, hartuan një strategji kombëtare për “Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit”, në përpjekje për të gjetur rrugët për përballjen më këtë dukuri.

Veprimtarët thonë se krahas veprimeve ligjore, lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm duhet të jetë gjithëpërfshirëse, duke vënë theksin tek edukimi dhe informimi i drejtë i qytetarëve të Kosovës.

XS
SM
MD
LG