Lidhje

Kosovë, aktakuzë kundër një gruaje për pjesëmarrje në luftën e Sirisë


Prokuroria e Posaçme e Kosovës ngriti të enjten aktakuzë kundër një gruaje të kthyer nga Siria për bashkim me grupe terroriste.

Në një njoftim të prokurorisë thuhet se e akuzuara, që është identifikuar vetëm me nistoret, N.H. akuzohet se “që nga data 26.09.2014, ka kaluar në pikën kufitare të Hanit të Elezit, në drejtim të shtetit të Maqedonisë (së Veriut) për në Turqi dhe më pas ka përfunduar në Siri, në zonën e konfliktit Siri-Irak, me qëllim që t’iu bashkëngjitet grupeve terroriste ISIS dhe Al Nusra”.

Sipas prokurorisë, e akuzuara me këtë ka kryer veprën penale “bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë apo policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore apo individualisht, jashtë territorit të Republikës së Kosovës”,thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Posaçme të Kosovës.

E akuzuara është nja nga 110 personat që u kthyen në prill të këtij viti në Kosovë në një operacion të qeverisë me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.

Nga të kthyerit, 32 janë gra, 74 fëmijë dhe 4 burra. Menjëherë pas kthimit burrat u dërguan në burg, ndërsa autoritetet filluan hetimet ndaj 32 grave.

Në fillim të këtij muaji, një gjykatë në Prishtinë e shpalli fajtore dhe e dënoi me dy vjet e gjysme heqje lirie me kusht, Merita Aliun, për veprën penale “organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist”, ndërsa nuk do të vuajë dënimin nëse brenda tri vjetësh nuk përfshihet në ndonjë vepër penale.

Edhe më tej në zonat e konfliktit, sipas të dhënave që ka siguruar policia e Kosovës, janë 30 luftëtarë, 49 gra dhe tetë fëmijë.

Autoritetet në Kosovë thonë se ata që kanë kryer vepra penale do të përgjigjen para drejtësisë, ndërsa të tjerëve do t’u ofrohen mundësi për rehabilitim dhe ri integrim.

Rënia e grupit militant Shteti Islamik, që dikur kontrollonte mbi 100 mijë kilometra katrorë territor dhe së paku tetë milionë njerëz, ka bërë që shumë luftëtarë të tij të kapen ndërsa familjarët e tyre të mbahen kampeve të ndryshme.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG