Lidhje

Presidenti turk falënderon presidentin Thaçi për deportimin e shtetasve turq


Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, e falënderoi të dielën presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, ndërsa sulmoi sërish kryeministrin Ramush Haradinaj për qëndrimin e ndaj operacionit të deportimit të gjashtë shtetasve turq, që Ankaraja i akuzon për mbështetje të komplotit për grusht shteti.

Duke folur në kongresin e partisë së tij në Hatay në juglindje të Turqisë, presidenti turk tha se "Prej këtu e falënderoj presidentin e Kosovës. Por kryeministrit i them 'turp'. Sepse largimi nga detyra i kreut të zbulimit dhe ministrit të Brendshëm, të cilët na i dorëzuan anëtarët e organizatës terroriste FETO, është një gabim historik. Sepse ato e bënë detyrën e tyre", citon presidentin turk agjencia turke e lajmeve Anadolu.

Të shtunën presidenti turk në një tubim të Partisë Zhvillim dhe Drejtësi në Stamboll tha ishte "i mërzitur" nga vendimi i kryeministrit për shkarkimet.

"Unë tani pyes kryeministrin e Kosovës: Me udhëzim të kujt more një hap të tillë? Prej kur fillove t’i mbrosh ata që u përpoqën t’i bëjnë grusht shteti Republikës së Turqisë?", tha ai.

Pas arrestimeve dhe deportimeve të shtetasve turq në Kosovë
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:31 0:00

Kryeministri i Kosovës as të dielën nuk ka reaguar ndaj sulmit të presidentit turk. Ndërsa kryetari i parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli nëpërmjet një postimi në facebook, tha se është befasuar me deklarimet e presidentit turk ndaj kryeministrit Ramush Haradinaj, në një kohë kur institucionet e Kosovës po trajtojnë në hollësi operacionin.

"Këto deklarata janë shqetësuese, sepse vijnë nga lideri i një vendi mik, mbështetja e të cilit shtet është dëshmuar në vazhdimësi para dhe gjatë gjithë ekzistencës së shtetit tonë. Andaj, deklarimet e tilla nuk i kontribuojnë forcimit të miqësisë dhe bashkëpunimit te ndërsjellë, për çka vendi ynë ka qenë dhe është i përkushtuar.

Veprimet e institucioneve të Republikës se Kosovës janë sovrane dhe si të tilla nuk mund t'u nënshtrohen presioneve të jashtme. Në këtë drejtim, edhe marrja në përgjegjësi e bartësve të institucioneve të sigurisë është çështje e brendshme dhe në diskrecion të lidershipit të Kosovës.

Republika e Kosovës do të vazhdojë pa kompromis rrugën e vet evropiane, të forcimit te vlerave perëndimore dhe demokratike, duke ofruar bashkëpunimin e vet me të gjitha ato shtete mike që duan raporte të respektit të ndërsjellë, duke përfshirë edhe Republikën e Turqisë", thuhet në postimin e zotit Veseli.

Gjashtë shtetas turq, pesë nga të cilët punonjës të Institucionit Arsimor Gylistan, pronë e klerikut turk Fethullah Gulen të cilin presidenti turk Recep Tayyip Erdogan e fajëson për një përpjekje grusht shteti në Turqi, dy vjet më parë, dhe një mjek, u deportuan të enjten në një operacion ende të pasqaruar të kryer nga shërbimet e zbulimit të të dyja vendeve.

Të premten kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, shkarkoi ministrin e Brendshëm Flamur Sefaj dhe shefin e Agjencisë së Zbulimit, Driton Gashi. Të shtunën ai mblodhi Këshillin e Sigurisë pas të cilit tha se ka kërkuar hetim dhe raportim nga institucionet e sigurisë dhe drejtësisë për këtë rast, ndërsa ritheksoi se nuk ka qenë fare i informuar për veprimet e institucioneve.

Tërë operacioni la pas vetes shumë paqartësi, ndërsa udhëheqësit më të lartë të Kosovës thanë se kanë urdhëruar hetime gjithëpërfshirëse në të gjitha institucionet e përfshira në operacionin e arrestimit dhe deportimit të shtetasve turq.

Presidenti Thaçi, kishte deklaruar se ishte njoftuar pas operacionit, ndërsa të shtunën kërkoi që të priten heitmet para se të bëhen cfarëdo vlerësimesh për të.

Familjarët e të deportuarve protestuan para institucioneve të Kosovës dhe para ambasadës turke, ndërsa ngritën shqetësimet se të afërmit e tyre mund të jenë mbajtur fillimisht në ndërtesën e ambasadës.

Ministria e Jashtme turke reagoi ndaj protestave dhe shkrimeve rreth tyre duke vënë theksin tek përgjegjësia e institucioneve të Kosovës ndaj pranisë turke në Kosovë.

Në një komunikatë të zëdhënësit të kësja ministrie Hami Aksoy, thuhet se "Organizata terroriste 'FETO' edhe njëherë e shfaqi fytyrën e saj të vërtetë para gjithë botës me veprimet e saj kundër Turqisë dhe misionit të saj në Kosovë. Autoriteteve të Kosovës u është tërhequr vëmendja se siguria e shtetasve turq, misioneve, zyrtarëve dhe kompanive është para së gjithash përgjegjësi e Kosovës i vend mikpritës dhe presim që ta të veprojnë në pajtim me detyrimet e tyre ndërkombëtare. Po ashtu presim nga miqtë tanë qasje të kujdesshme dhe të pa kompromis ndaj manipulimeve të anëtarëve të kësaj organizate terroriste dhe qarqeve që i mbështesin ata".

Në komunikatë cilësohen si "lajme provokuese" shkrimet sipas të cilave të arrestuarit ishin mbajtur në ndërtesën e ambasadës turke në Prishtinë.

" Ne fuqimisht i hedhim poshtë dhe i dënojmë manipulimet e tilla qëllimkëqija të medias", përfundon komunikata.

Operacioni është kritikuar ashpër nga organizatat e te drejtave të njeriut dhe njohësit e drejtësisë, që thanë se deportimi në mënyrën si ka ndodhur paraqet shkelje të Kushtetutës së Kosovës si dhe të konventave ndërkombëtare për të drejta të njeriut.

Kosova është një nga vendet e rajonit që i është nënshtruar trysnisë për arrestimin dhe dorëzimin e "gulenistëve" të kërkuar nga Ankaraja.

Turqia ka arrestuar më shumë se 50 mijë veta në operacionet kundër mbështetësve të dyshuar të Fethullah Gulenit, klerikut që akuzohet se qëndronte para grusht shtetit të korrikut të vitit 2016.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG