Lidhje

Pjesëtari i FSK-së arrestohet për përdhunim në SHBA


Autoritetet amerikane në Kontenë Pulaski në shtetin e Missourit thanë se kanë arrestuar një pjesëtar të Forcës së Sigurisë së Kosovës, nën akuzat për përdhunim të një vajze të mitur.

Pjesëtari i FSK-së ndodhej në Shtetet e Bashkuara në një trajnim për oficer të mbrojtjes kimike, bërthamore e biologjike në një kurs katër muajsh në Fort Leonard Wood.

Mediet lokale amerikane thanë se i arrestuari mund të dënohet prej dy deri në shtatë vjet heqje lirie nëse shpallet fajtor për akuzat e ngritura tashmë kundër tij për "përdhunim të një vajze 14 vjeçare në Kontenë Pulaski".

Sipas dokumenteve gjyqësore Ismail Sekiraqa, 23 vjeç, më 8 dhe 9 qershor kishte kryer marrëdhënie seksuale me të miturën dhe ai ndodhet në paraburgim, ndërsa kaucioni për të është 150 mijë dollarë.

Sipas raporteve të policisë, vajza që jetonte në një pjesë tjetër të Missourit. po kryente punën e dados për tezen e saj në Kontenë Pulaski javën e kaluar. Një e afërme e vajzës u tha policëve se ajo kishte thënë se Sekiraqa kishte kryer marrëdhënie seksuale në dy raste me të dhe se "ajo mendonte që ka rënë në dashuri me Sekiraqën dhe nuk dëshironte të bashkëpunonte me hetuesit".

Hetuesit thanë se e intervistuan vajzën të hënën por ajo ishte skajshmërisht jo e gatshme të flasë, duke theksuar se "nuk dëshiron t'i shkaktojë telashe askujt" dhe duke e identifikuar Sekiraqën si personin "që mund të ketë telashe".

Vajza thuhet se e përshkroi Sekiraqën si një mik, që ishte ushtar nga Kosova dhe që e kishte njohur atë për dy javë dhe se "në dy raste derisa po kryente punën e dados ... ajo dhe Sekiraqa kishin 'fjetur' të zhveshur në dhomën e mysafirëve".

Vajza citohet të ketë thënë se i ka treguar për këtë motrës së saj dhe "arsyeja pse ka shkuar në spital ishte që të bëjë një test shtatzënie dhe të sigurohet që nuk ka marrë ndonjë sëmundje seksualisht të transmetueshme".

Motra e vajzës ka folur për incidentet në të cilat 14 vjeçarja i ka përshkruar si "seks konsensual" në apartamentin në Kontenë Pulaski.

Sekiraqa u arrestua të hënën në mbrëmje ndërsa seanca e parë dëgjimore pritet të hënën që vjen.

Vajza pastaj i ka treguar edhe tezes së saj tek e cila ishte angazhuar si dado lidhur me marrëdhënien e saj me Sekiraqën. Tezja "ka shkuar tek Sekiraqa dhe e ka pyetur atë lidhur me rastin. Sekiraqa i ka pranuar asaj se ka pasur marrëdhënie seksuale me të miturën dhe ka kërkuar nga ajo që të mos e raportoj rastin", thuhet në raportin e hetuesve.

"Ajo tha se nuk e kishte raportuar më kohë incidentin, meqë ndodhet në një proces lidhur me kujdestarinë e dy vajzave të saj dhe kishte menduar se 'do të dukej prind i keq" duke pasur atë andejpari.

Në Kosovë, ministria e Forcës së Sigurisë pezulloi Sekiraqën në pritje të njoftimeve më të hollësishme për arrestimin e tij.

XS
SM
MD
LG